“Kush shikon jashtë fle; kush shikon përbrenda zgjohet” – Carl Gustav Jung
Në llumin e Detroitit të vitit 1995, ku rruga 8 Mile ndan banorët në bazë të racës, Xhimi Smith ëndërron për rrënimin e këtij kufiri dhe botës që ka për të arritur majat e suksesit në hip-hop.
Për të arritur tek ëndrra e tij, Xhimi si një djalë me racë të huaj për zhanrin e muzikës hip-hop duhet të punojë dyfish më shumë, kundër një kulture të tërë.
8 Mile, si filmi për më të madhin e muzikës hip-hop sigurisht që mbetet larg një biografie që jemi mësuar ta shohim. Por, nuk është një biografi e zakonshme, fund e krye, por më shumë një version përrallor i një pjese të jetës së tij, ndoshta më të rëndësishmes.
Është një koleksion kujtimesh nga ngufatja e tij në betejën e parë, te kacafytja e parë me Papa Doc, njoftimi me Aleks, dhe krejt skenat tjera që pasojnë.
Por, për të ‘shpërthyer’ talentin, pos një motivi shumë të rëndësishëm, duhet edhe ajo që sugjeron CG Jung ta bëjmë, të njohim veten, të pranojmë të gjitha të metat dhe mungesat tona. Ose edhe më mirë, t’i kthejmë në armën tonë.
Dhe kjo vjen fillon me pjesën e dytë të filmit, ku Kim Basinger i bashkohet në ndarjen e skenës edhe e ndjera Brittany Murphy, karakteret e të cilave, bashkë me ngjarjet që i përcjellin shërbejnë si nyje për shtytjen para të rrëfimit, si dhe zhvillimin e karakterit të Xhimit.
Për shumëkë mund të mos jetë një biografi e përkryer e njërit prej artistëve më të mirë, por nëse e shikojmë në detaje, dhe jemi të njohur me veprën e Eminem, atëherë e kuptojmë që ky është filmi i përkryer për qejfin e Eminem.
Ka gjithçka që ai dëshiron të ketë, të sjellë para neve, në formë arti, nga disa fotografi që sjellin atë zymtësinë e Detroitit deri te finalja legjendare. Nota personale: 5/5

