Qysh në fillim të episodit të parë, pa dialog, kemi natyrë dhe një djalë të ri, i cili nuk vonon shumë dhe na vjen duke kryer nevojën “e madhe” fiziologjike mbrapa një peme, ku i shohim të pasmet dhe atë që del nga aty!

Nejse, është bota e Westeros dhe kemi parë gjëra më ekstreme!

Tekefundit, një moment dhe pastaj ngjarja fillon të shtjellohet dhe të kemi hapat e para drejt shoqërisë së tij me vezën, atë djalin e vogël tullac!

Episodi i parë hedh themelet në atë që pak kuptohet, e pak do të duhej të mësohet në episodet vijuese. Shpresojmë pa skena bizare.

Por…

Qysh në fillim të episodit të dytë, nga një kasolle del një burrë në moshë të mesme dhe me “aletin” e tij që sheh diellin!

WTF!

Dhe kjo vazhdon edhe në episodet tjera, por janë detaje të parëndësishme në krahasim me historinë që trajtohet në këtë seri, sezon të parë.

Por, 25 minutat tjerë në secilin episod japin një pamje shumë të thellë, të këndshme, emocionale të një historie anonime në krahasim me ato që dimë për botën e Westerosit.

Është një histori që s’do të duhej të na interesonte neve fansave të GOT, dhe për një kohë nuk na intereson, por dy karakteret kryesore, në ekstreme të kundërta – një djalë vigan, pak naiv, që pretendon se është një fisnik, për të cilën gjë nuk i beson askush, sepse ai që e ka kurorëzuar le që nuk është figurë e besueshme, por edhe nuk ka dëshmi; dhe në anën tjetër, një fëmijë, Egg, i cili shfaq një naivitet sa edhe vigani, ndihmës i të cilit dëshiron të bëhet.

Ky propozim refuzohet qysh në fillim, por bëhen si bëhen punët, prapë rrugët do t’i takojnë, dhe kjo miqësi, ndonëse e sforcuar, do të krijojë dy nga karakteret më të dashura në botën e Westeros, dhe atë vetëm pas një sezoni të parë me episodet që nuk kalojnë as 30 minuta.

Dhe kjo është ndoshta ana më e mirë.

Nuk kemi tjerrje të ngjarjes, filozofira, thjesht e dimë qëllimin e të dyve, dhe të tjerëve, ka pak dialogë, intriga si zakonisht, dhe krejt të gjitha në frymën e botës së Westeros.

Kjo e bën të duket si një ngjarje që zhvillohet në atë atmosferë, por diku tjetër, pak më larg.

Është një përshtatje e këndshme me një fotografi fenomenale, dy karaktere shumë të dashura, me një aktrim të mrekullueshëm. Pa menduar gjatë e shumë para, është super-sezon. Nota personale: 5/5