Nuk ka film që pasqyron më mirë skenën “gazetareske” moderne në Kosovë se sa filmi Ace in the Hole, në të cilin hasa derisa po shihja titujt e pakët të mbetur pa shikuar të Billy Wilder.
Ashtu siç përshkruhet në titull, filmi flet për një ‘as që ka mbetur në vrimë.’
Asi, apo karta në duart e gazetarit Çarls Tatum është një minator i ngujuar në një shpellë në Albuquerque.
Tatum, pasi dëbohet nga puna e tij si gazetar i njohur, fillon të punojë për një gazetë lokale në qytetin më pak të njohur të Albuquerque. Aty ai mëson për një burrë të ngujuar në shpellë, dhe në vend që ta shpëtojë menjëherë, Tatum vendos të bëjë atë që bën çdo “gazetar” modern – ta mjelë historinë deri në fund.
Ai fillon të lajmërojë gazetat e radiot anembanë vendit duke krijuar një histeri aq bizare sa që mblidhen edhe qytetarë të rëndomtë për të parë si do të rrjedhin ngjarjet. Krejt këto janë vetëm që Tatum të bie në sy si një gazetar i jashtëzakonshëm.
Rolin e Tatum e luan Kirk Douglas, të cilit edhe fytyra i shkon për një rol të tillë! Richard Benedit është i ngujuari, e Jan Sterling gruaja e tij, në rolet tjera më kryesore.
Nuk e dija pse ky film kishte mbetur si në sfond të titujve të mjeshtrit Billy Wilder, por me të parë ngjarjen ndoshta mund të aludojmë në një konspiracion gazetaresk për dështimin e tij.
Ndoshta një arsye tjetër mund të jetë që filmi devijon pak a shumë prej zhanrit me të cilin Wilder ka shënuar suksesin më të madh, dhe rrjedhimisht shikuesit kanë pritur diçka tjetër, e jo një të vërtetët të hidhur.
Por, fatkeqësisht, ky film që anon më shumë ka zhanri noir, është jashtëzakonisht aktual për ata gazetarë që moti kohë kanë shitur shpirtin për pak llajka. Nota personale: 4/5

