Një mëngjes, shtëpia e një familjeje që në plan të parë duket normale, e shtesës së mesme, që nuk duhet të ketë punë me polici, bastiset. Tensioni i krijuar dhe befasia shërben si një hyrje e furishme në këtë miniseri, misteri i kësaj bastisjeje sa vjen e ndërtohet duke mbajtur sekret për shikuesin, e edhe për të atin dhe njërin fëmijë të tij se për çka janë në polici duke kaluar nëpër procedurat e rregullta.
Ajo çka e bën këtë mini-seri të veçantë është realizimi teknik që bëhet me xhirim të pandërprerë të ngjarjes nga fillimi deri në fund të episodit.
Ndonëse është një teknikë e përdorur edhe më parë, te Birdman që fitoi Oskar për filmin më të mirë, e te Rope legjendar i Hitchcockut, te Adolescence e versionin e paredaktuar fare, e kjo shihet nga mungesa e pikave tranzicionale që mund të vërehen në realizime të këtilla.
Pjesa teknike e bën këtë mini-seri më të afërt me shikuesin sepse ngjarja zhvillohet në kohë reale, dhe kjo na bën të ndihemi sikur jemi pjesë e krejt procesit, shikojmë kur duhet, kë duhet, dhe si duhet. Ka raste kur do të donim të vazhdonim me tjetrin karakter, por tranzicionet kryesisht janë të përkryera duke na dërguar në momentin e duhur te karakteri e ambienti i duhur.
Në përshtatje me temën, që ka të bëjë me rrjetet sociale e teknologjinë e kohës sonë që kanë ndikuar në rënien e përqendrimit dhe vëmendjes tonë, kjo teknikë sfidon këtë të metë tonën moderne duke na shtyrë që të mbetemi për 50 minuta të ngujuar për ngjarjen, e pasi është Netflix, atëherë dikujt edhe katër orë.
Këtë efekt e kam vërejtur edhe te unë, që shpesh i lë në gjysmë filmat me ditë dhe vazhdojë aty ku kam mbetur, disa herë në pjesë të ndryshme, por nuk e kam problem të lidh ngjarjen! Tek “Adolescence,” nuk kam pritur as 24 orë të kryejë të katër episodet, përkundër faktit që nuk kam mundur t’i shmang “spoilerat.”
Nuk di si të ndihem për temat e episodeve, të cilat ndonëse kapin periudha të rëndësishme për storien, lënë shumëçka në imagjinatën tonë. Tash, në një anë kjo mund të jetë një ngacmim për neve për të interpretuar ngjarjen si duam, për të zgjuar kërshërinë, por ndoshta do të mund të kishim më shumë qartësime.
Producentët nuk kanë mohuar një sezon të dytë, apo një temë tjetër të ngjashme, që zor se do të jetë si ky, por mendoj se ky ka arritur qëllimin.
Gjithashtu nuk mendoj se është aq i përshtatshëm për t’u shikuar me fëmijë, sidomos të shkollave fillore, sepse nuk duket se jep diçka të fortë për ta.
Më shumë duhet të merret si mësim për prindërit, sepse “mjerë ata që janë mësimdhënës edhe në Kosovë.” Gjendja nëpër klasa është xhungël, dhe krejt fajin duhet ta bartin eksperimentuesit me kurrikulë. Shyqyr që jam pensionuar nga ky profesion një javë para se të krijohej grupi i parë i Maniakave.
Pjesa teknike është ajo që e bën këtë seri të veçantë, numri i episodeve, edhe sigurisht tema. Nota personale: 5/5

