Historinë e shkruajnë fitimtarët!

Fatkeqësisht!

Dhe si pasojë heronjtë e para gjysmë shekulli te populli ynë sot janë tradhtarët e kombit, dhe tradhtarët e asaj kohe sot janë bërë heronj!

Filmi i parë, ai i vitit 1930, ka pasur aq shumë ndikim që sot, bashkë me serinë dokumentare të Lawrence Olivier – The World at War – i konsideroj si dy veprat që duhet të shfaqen te çdo i ri në ditën që konsiderohet i rritur!

Luftën të gjithë nisen ta fitojnë me idenë që do të kenë pasuri e lavdi, por shumica përfundojnë as me një bust, dhe pikëllimin e mallin që u mbetet tjerëve.

Si seria dokumentare në fjalë – duhet patjetër ta shikoni – si filmi i para gati një shekulli, si ky film e kanë një mesazh të qartë – lufta është ferri për së gjalli. Ndoshta ferri është më i butë, kushedi.

Filmi e arrin misionin, e ofron atë që niset ta bëjë, mesazhin që niset ta përçojë, me një aktrim fenomenal, sidomos të karakterit kryesor të portretizuar nga Felix Kammerer.

Në të e kemi një të ri të çorientuar të cilit lufta ‘ia hapë sytë’, por edhe ia bllokon trurin e ia humb arsyen e shpirtin. Kështu është lufta për të gjithë ata që shkojnë në front, derisa tjerët fillojnë të ndajnë plaçkën e medaljet për lirinë, e cila në një mënyrë a tjetrën do i sjellë më shumë se atyre në front – në mos pasurinë, jetën.

Është ndoshta pak i gjatë, sigurisht i rëndë emocionalisht, e nganjëherë mund të duket shumë i ngadalshëm. Por, ka rëndësi vitale të shikohet për ata që luftën nuk e shohin si diçka shumë të kobshme.

Ata që me qejf do të shkonin në luftë, e të mbaronin në pozitën e Paul, ose edhe më keq, derisa tjerët në shpinën e tyre do të kërkonin pushtet edhe 400 vjet, pse jo. Nota personale: 5/5