Jeta ndryshon rrënjësisht kur fillon të analizosh vetveten, dhe jo nga nevoja, por nga qejfi. Dhe, sa më shumë zhytesh në analizën e mendjes sonë, karakterit, dhe ndërdijen e vetëdijen, e kupton që karakteri ynë fillon të formësohet vite para lindjes sonë, e edhe të prindërve tanë.
Shpesh e them se frika nga lufta dhe uria te ne është gjenetike, përkundër që çdo gjeneratë që ka lindur para vitit 2000 ka përjetuar nga një luftë, e disa edhe tri.
Por, ka edhe më shumë të meta që trashëgohen, pavetëdijshëm, nga prindërit te fëmijët, e rrjedhimisht te pasardhësit tjerë.
Në rolin e saj të fundit, Ingrid Bergman, përshëndetet nga zeja e aktores me një paraqitje të përsosur, të jashtëzakonshme, plot emocion, mishëruar me karakterin e saj që ka në filmin e vetëm me Ingmar Bergmanin, me të cilin me të drejtë të gjithë mendojmë se ka lidhje familjare, por që në fakt është e kundërta.
“Autumn Sonata,” është njëri nga filmat më të mirë, jo patjetër estetikisht, të Ingmar Bergman, dhe kjo falë dialogut që kanë karakteret kryesore.
Ingrid Berman është Sharlota, e cila vjen për vizitë te e bija e saj, Eva. E Eva jeton në një fshat bashkë me burrin e saj pastor, Viktorin, i cili është i dedikuar t’i japë të gjitha të mirat në jetë Evës. Por përkundër këtij përkushtimi, e kaluara e Evës nuk është aq e këndshme, dhe kjo sa vjen e zbulohet me çdo pjesë të filmit që kalon.
Në rolin e Evës vjen Liv Ullmann, gruaja e Ingmarit, dhe e bija e tyre është në rolin e Evës kur ka qenë fëmijë.
Nuk do të dua të flas më shumë për ngjarjen, sepse aktrimi i Liv Ullmann nuk mbetet aspak larg atij të Ingrid Bergman, e të dyja ndajnë skenat me plot emocione e përkushtim në karakteret e tyre që të bëjnë të ndihesh sikur je aty, brenda skenës, duke dëgjuar muhabet që kanë nëna me të bijën.
Dhe krejt kjo shoqërohet me disa ngjyra të ndezshme, që krahasuar me filmat bardhë e zi të Bergmanit, i jep jetë filmit, një jetë vjeshte, ashtu si shumëçka brenda historisë. Nota personale: 5/5

