Mendoj që padrejtësisht është nënvlerësuar sezoni i dytë i True Detective. Edhe pse ka qenë një prodhim i mirë në përgjithësi, fajin e ka bartin dyshja Woody Harrelson e Matthew McConaughey, sepse Colin Farrell, Rachel McAdams, e as Vince Vaugh, po as historia nuk kanë qenë në atë nivel.

Prandaj, hezitimi për suksesin e një serie me Vince Vaugh në rolin kryesor ka qenë i arsyeshëm. Dhe ky hezitim mbase ka ndikuar në suksesin e kësaj serie.

Te “Bad Monkey,” Vince Vaughn luan rolin e një ish-detektivi të dëbuar nga puna, të cilin e ndjek krimi edhe tash kur punon si inspektor restorantesh. Në hasmëri me komshiun e tij, në kundërshtim me ish-kolegët, dhe injorant të gjithëve që takon, Endru Jansi, vendos të zbulojë sekretin pas një krahu të prerë që e fut në një botë të papriturash në brigjet e Floridës.

Pra, është më shumë një seri verore që fëmijëve të 90tave mund t’i kujtojë “Nikun,” por është goxha më e mirë në histori dhe rrjedhë të ngjarjes. E mbi të gjitha, Vince Vaughn nuk ka nevojë të aktrojë shumë sepse disi karakteri i tij përshtatet shumë me vetë atë.

Në rolet tjera vijnë Natalie Martinez, Michelle Monaghan, e Rob Delaney, gjersa jetët e karaktereve të tyre përzihen me atë të Jensit në një mënyrë a tjetrën.

Janë dhjetë episode goxha argëtuese, të realizuara nga Bill Lawrence i “Ted Lasso” e “Shrinking”, i cili sjell një seri të përzier me krim e dramë, por disi në një ambient me nuanca që anojnë nga komedia.

Me sa e di, do të kthehet për sezonin e dytë, e deri atëherë, mund ta leni për verë për shkak të ambientit ku zhvillohet ngjarja, ose nëse e urreni dimrin edhe nuk jemi shokë, atëherë fillojeni tash!

Super-aktrim i Vince Vaughn me një histori goxha interesante, të shtjelluar mirë, që ndoshta duket se nxitohet nga fundi, por ka një finale të mirë. Nota personale: 4/5