Kur fillon të ndërtosh diçka të madhe për një të ardhme të largët, pakkush e kupton, dhe shpesh përfundon nën hije e produktit final.
Trilogjinë e Nolanit për Betmenin mund ta krahasojë me ndërtimin e Arkës së Noas – një projekt i çmendur, por që del të jetë revolucionar, e mund të themi edhe shpëtimtar i një zhanri të tërë.
Pas katastrofave të dy filmave të fundit të Betmenit në të ‘90tat, dhe një serie të dobët të filmave me super-heronj, me një buxhet gjigant, Christopher Nolan vendos të hedh themelet e një trilogji që do të definojë jo vetëm karakterin e heroit të maskuar, por edhe zhanrin e filmave me superheronj.
Prandaj, rëndësia dhe pesha që ka pasur në vete ky film, dhe mbi të gjitha Nolani që bën edhe regjinë, edhe skenarin (bashkë me David S. Goyer) është e padukshme sot, e nënvlerësuar, e fatkeqësisht e harruar edhe nga vet dy filmat pasues të serisë që kanë popullaritet më të madh, por si gjithmonë, harrohet themeli, i pari!
Arsyeja për këtë është që Nolan fillon historinë e Brus Uejn nga e para, ndonëse jo patjetër në mënyrë lineare. Por, gjithçka kemi nga historia e Brusit dhe zanafilla e Betmenit, dhe për shumëkënd kjo pjesa e parë, bërja e Betmenit duket pak e gjatë, e tëholluar së tepërmi, dhe mund të shihet si e panevojshme, por në aspektin afatgjatë është e rëndësishme.
Dhe pas kësaj, menjëherë kemi armiqtë më të frikshëm të Betmenit, të përhershëm dhe të përkohshëm, që vijnë me një aktrim të mrekullueshëm të Liam Neeson e mbi të gjitha Cillian Murphy.
Filmin e bën më madhështor edhe përzgjedhja e emrave për karakteret që portretizojnë – Gary Oldman si komisari Gordon dhe Michael Caine si Alfredi janë të përkryer në këto role, të mos them ndoshta më të mirët.
Morgan Freeman, Tom Wilkinson, e Ken Watanabe bëjnë punën e tyre goxha mirë, por gjithçka mbetet nën hijen e Christian Bale, i cili mund të mos dukej si njëfarë Betmeni me punët paraprake, por ende mbetet më i miri që kemi parë këtë shekull, ndoshta edhe prej më të mirëve.
E dimë që Bale përqafon me zell rolet që i luan nëpër filma, dhe jo vetëm ndryshimet fizike dëshmojnë këtë, por këtu disi duket se është i lindur për të qenë Betmen.
Pastaj kemi Katie Holmes, e cila duket e humbur, ndonëse bën punë të mirë. Megjithatë, disi mbetesh me ndjenjën që ka mundur të ketë më shumë nga ky karakter, sidomos në lidhje me Brusin, por vetë skenari e lë si të bijësuar Rejçëllin.
Për mua, “Batman Begins” mbetet filmi më i mirë i trilogjisë, dhe ndër filmat më të mirë të superheronjve. Nota personale: 5/5

