Rrugës për në shtëpinë e tyre pushimore, Adami dhe Barbara nga ura bien në lumë. Pas pak ata arrijnë në shtëpi, por nuk iu kujtohet rruga. Dhe kur vendosin të largohen, ata hasin në diçka të çuditshme, dhe me të vazhduar hulumtimin nëpër shtëpi, kur nuk shohin hijet e tyre, ata e kuptojnë të vërtetën e dhimbshme – ata të dy janë vetëm fantazma!
Me kalimin e kohës, shtëpia e tyre i shitet një familje tjetër, Ditcit.
Tash, çifti fantazmë e dëshiron shtëpinë për vete, dhe për këtë ata kontaktojnë në botën e tyre një shërbim që largon të gjallët nga shtëpitë e fantazmave. Në krejt këtë mesele, për t’i rënë më shkurt, aktiv është edhe “beetlejuice,” i cili vepron në mënyrë të kundërligjshme, të themi.
Në qendër të krejt kësaj historie, si ky karakter, vjen Michael Keaton, derisa çifti i parë janë Alec Baldwin e Geena Davis. Në rolet tjera vijnë edhe emra më pak të njohur, si dhe gjithmonë e pranishmja, muza e Tim Burtonit, Winona Ryder, në rolin e fëmijës “goth” të çiftit të dytë.
Një histori e çuditshme, origjinale, e ndërtuar sipas mostrës së Tim Burton, “Beetlejuice” është një film i veçantë horrori, por si gjithnjë, me më shumë ngjyra komedie se sa frike.
Është mirë e shtjelluar, nuk ka kohë për dremitje, gjithnjë ndodh diçka që të mban të lidhur me historinë që gjithmonë merr një kah të papritur. Është i bukur për t’u parë, që është një veçanti e përhershme e filmave të Burton, me një nuancë horrori që të argëton. Nota personale: 4/5

