Kur e sheh princeshën e hajdutëve e Elizabeth Suon në rol të një gruaje të rritur, nënë të dy fëmijëve, thua ku shkuan krejt këto vite nga filmi që përsëritej çdo vikend në KTV deri sot kur nuk e di kur ka qenë hera e fundit që ke kqyr KTV-në.

Keira Knightley vjen në rolin e Helenës, e cila ditën është një nënë e grua e dashur, në mbrëmje në aferë romance jashtëmartesore, e natën agjente e fshehtë.

Sikur ky përshkrim për karakterin e saj, lëmsh është edhe historia e karaktereve të përfshira në krejt këtë tollovi që zhvillohet disa ditë para Krishtlindjeve në Londër, që përfshin shërbime sekrete, skandale, politikanë, ambasadorë, dhe anonimë.

Është një triler i mirë me mister që dikur do të zgjidhet (ndoshta, deri në një masë), me plot aksion, shpesh edhe ekstrem, shpesh i devijuar nga historitë personale të dy karaktereve kryesore, që vijnë sa për të përmbushur kushtet e Netflixit për gjithëpërfshirje të gjinive dhe racave.

Pos Helenës, karakteri i dytë është Semi (Ben Whishaw), të dy kolegë të dashur me histori të gjatë, jo-romantike, afërsia e të cilëve sfidohet nga momentet, misionet, dhe mbikëqyrësit e tyre.

Është larg cilësisë së “Slow Horses,” nëse vini për të gjetur një zëvendësim për Gary Oldmanin dhe historitë e tija. Por, prapë, mbetet një histori e mirë krimi e spiunazhi deri në një masë.

Sezoni i dytë është porositur, dhe do të jetë interesante të shohim si do të lëvizë historia e Helenës e Semit, e cila thuhet se është e bazuar në ngjarje të vërteta të cilat për dallim prej serisë, në jetën reale zgjasin me dekada.

E sezoni i parë i “Black Doves” është një freski interesante në një rol pak më ndryshe për Keira Knightley, në Anglinë e ftohtë para festave, me shumë kthesa e të papritura në histori, e cila shpesh devijon panevojshëm për arsye që i dimë të gjithë. Nota personale: 3/5