Briana e Majit

Nuk ka zhanër që urrej më shumë se librat plot me pozitivitet që të çojnë mallin e Jimmy Fallon – krejt është diell, dritë, çaraveshje!

Mendo pozitivisht, mendo fitore – ka qenë një slogan i një partie shumë vite më parë, dhe nuk është slogani më i keq që kanë pasur ndonjëherë!

Zakonisht, këto “mendimet pozitive” udhëzojnë njerëzit mos të mendojnë, të bëhen injorantë të frikshëm për vetveten. Disi ju dërgojnë në një botë iluzionesh ku shtyn dhe injoron gjithçka negative, dhe provon të gjesh pozitive edhe në këtë mot të frikshëm maji!

Por, Brianna Wiest është ndryshe!

Ajo që e bën ndryshe autoren është që nuk injoron dhe mohon anën negative të jetës, të këqijat e të ligat që ndodhin, dhe që do të ndodhin. Është jeta, sigurisht që do të ketë momente pikëllimi, mërzi, dhimbje, dhe si thotë autorja, duhet të kemi këto emocione që të shijojmë të mirat që medoemos vijnë më pas.

Nuk di si më ka dalë në sugjerimet e Everand, por me një parapagim mujor prej 9 dollarëve, brenda një muaji, duke ndrequr qepët e kungujt në bahçe, i kam dëgjuar plot pesë libra të Briannës.

Nga “The Pivot Year,” te “The Mountain is You,” me “When You’re Ready, This is How You Heal,” “Salt Walter,” e “101 Essays That Will Change The Way You Think,” ka qenë një seancë shumë e nevojshme psikologjike në muajin e ditëlindjes që kur kalon në të tridhjetat veçse bëhet e panevojshme!

Secili libër ka një mision në vete, i pari që përmenda, tregon se si mund të ndryshojmë veten me veprime të ndryshme brenda një viti, i fundit është për të kapërcyer ato pengesat që ia vendosim vetes.

Më i miri, ashiqare është “When You’re Ready…”

Secili i marrim në vete ndodhitë në jetë. Nganjëherë, një djalë mund të vuajë nga ndarja më shumë se një vajzë, ani pse shoqëria e sheh këtë si “devijim.” Për dikë më lehtë kalon një periudhë depresioni, e dikush vonon më shumë. Dhe ky është edhe mesazhi te ky libër – nuk ke nevojë të krahasosh veten me tjerët që kanë përjetuar të njëjtën gjë. Edhe fëmijët e të njëjtit prind përjetojnë më ndryshe vdekjen e tij, ngjashëm si fansat e të njëjtit ekip humbjen e tyre.

Nuk është kiamet nëse merr më shumë kohë, e rëndësishme është që të mos dorëzohesh, përkundër kthimit në pikën zero a edhe në minus ndonjëherë. Kur të jemi gati, e “ftillojmë” edhe dhomën, i palojmë edhe teshat, e bile edhe martohemi!

Te “101 Essays…” që në një librari këtu kish çmim sa dy muaj abonim në Everand, autorja jep shembuj të ndryshëm për njerëz të ndryshëm në situata të ndryshme. Është i mirë, por disi është shumë i përgjithësuar, dhe sigurisht që ka popullaritet më të madh, prandaj edhe është njëri nga dy librat e përkthyer në shqip bashkë me “The Mountain…”

E “Salt Water,” është ajo që e dallon autoren, është melhem për zemër.

p.s. maji, si muaj i vetëdijesimit për shëndetin mendor sivjet nuk më duket që ka qenë aq aktiv në shoqërinë tonë… si “pionier” i shkrimeve për shëndetin mendor tash e më shumë se një dekadë edhe në këtë grup, qëllimisht jam tërhequr që mos të bëhem “i tepërt,” se padrejtësisht edhe gabimisht po keqinterpretohen si një jehonë negative, besoj nga fansat e Jimmy Fallon e asaj autores australiane…

por, dua të mendoj që vetëdijesimi për shëndetin mendor ka arritur në një nivel të kënaqshëm, sidomos te rinia, të cilët nuk hezitojnë të flasin e as të merren me shëndetin mendor, qoftë me konsultime me psikologë të licencuar, qoftë me literaturë e forma të ndryshme informimi…