Jeta private e legjendës të filmave komik turq, Kemal Sunal, nuk ka qenë aq e hareshme sa minutat që kanë kaluar shikuesit para ekranit të madh e të vogël. Ndoshta është njëri ndër karakteret e para në film që më ka bërë të qeshi, për dallim nga filmat e Jumurxhakit që më kanë lënë trauma familjare, e të Ibrahimit që më kanë lënë skeptik ndaj dashurisë!

Shabani më ka ndihmuar të përqeshi problemet e mërzinë, dhe këtë ta kem si mekanizëm mbrojtës, mburojë nga gjithçkaje serioze.

Kështu është edhe njëri ndër filmat e tij më të thellë, “Mbreti i pastruesve.”

Në Turqinë e fundit të dekadës së viteve 1970ta, ku çdo mëngjes gazetat shkruajnë për vjedhje bankash, vrasje, dhunë, Aptiu është pastrues i rrugës ku banon Shakir komandanti, i cili ia shtron zullumin atij. Gjithashtu edhe Haxherja, dashuria e Aptiut punon si pastruese.

Problemi është që Shakiri dëshiron të martohet me Haxheren, të cilën nëna e saj nuk e pranon për shkak se pastruese, e familja e Haxheres nuk e pranon Aptiun sepse është pastrues. Edhe krejt kjo shkakton momente komike, nisur nga vendosmëria e Aptiut (Shabanit) për të ikur çikën, kur e le pandjenja vjehrrën, e pas së cilit veprim i lëshohen krejt familja e saj – babai e tre vëllezërit vagabondë. Gjatë ikjes Aptiu zbulon profesion të ri – këngëtar, për t’u bërë yll i mëhallës.

Kur bëhet i famshëm, familja e Haxheres ndryshon mendjen, tash e duan më shumë këngëtarin se sa policin, duke nxitur komandantin, dhe kështu me radhë.

Në krejt këtë tollovi, Apti pastruesi është njeriu më i drejtë, i urtë, që shfrytëzohet nga të gjithë, duke portretizuar një karakter akoma pozitiv në një shoqëri me ekonomi e shoqëri të rrënuar.

Ashtu si filmi, edhe karakteri i tij shërben si një orë e gjysmë dëfrimi, një mendjelehtë që përkundër zymtësisë të gjithanshme akoma beson mendjelehtësisht në drejtësi, dashuri, e në njerëzimin. Nota personale: 5/5