Një profesor i fizikës shkon në festën e shokut të tij që ka fituar një çmim prestigjioz. Rrugës për në shtëpi ai rrëmbehet nga njerëz të maskuar të cilët e injektojnë me diçka që i humb vetëdijen.

Me tu zgjuar, ai takon dy njerëz që njeh – psikiatren Amanda dhe CEO-n e kompanisë, Llejtonin, të dy të lumtur që ai është kthyer.

Kur nuk kupton gjë, ai arratiset dhe shkon në shtëpi, ku gjithçka duket të jetë ndryshuar, e as gruaja as i biri nuk janë aty. Me qëllim që të rikujtojë e të kuptojë çfarë ka ndodhur, ai shkon në lokalin ku ishte festa. Por, për dallim prej festës, tash askush nuk e njeh atë!

Kështu fillon episodi i parë, dhe shtrirja e zhvillimi i ngjarjes e bën këtë njërën ndër mini-seritë më komplekse të thjeshtuara më së miri me njërën nga temat më gudulisëse të së sotmes – multiversin!

Pa dashur të bëj ndonjë spoiler eventual, më duhet të them që Xhejsoni, karakteri kryesor, punon në zbulimin dhe krijimin e portave për në universe të ndryshme, duke provuar të japë një përgjigje në të gjitha pyetjet provokuese dhe të ndërlikuara që mban në vete kjo temë.

Por, pa e tepruar, në të nëntë episodet, seria trajton multiversin dhe gjithçka që shihet kontroverse dhe e dobishme prej kësaj teorie, gjithmonë duke qëndruar brenda një hapësire e kohe, të cilat kjo teori i sheh si iluzion?!

Joel Edgerton është në rolin kryesor, të cilin e kryen për mrekulli marrë parasysh kërkesat që shfaqen. Jennifer Connelly është gruaja e tij, Daniela, e Alice Braga (City of God, Queen of the South) në rolin e psikiatres dhe koleges së Xhejsonit.

Nuk di a do të ketë, dhe a duhet të ketë sezon të dytë, por ky sezon ka qenë goxha tundues dhe goxha e vështirë të pritet një javë për episodin e ri. Është ndër më të mirët e vitit. Nota personale: 5/5