Die Another Day (2002)

Die Another Day (2002)

Filmi më i mirë në serinë e filmave të James Bond me Pierce Brosnan në rolin kryesor ka këngën më të keqe nga të katërtit.

Pas një dekade me ndryshime gjeopolitike që sigurisht se kanë ndikimin e tyre edhe në filmat e këtij zhanri, Bondi e nisi me shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik dhe e përfundoi me ndarjen e Koreve.

Por, edhe ky film, si tjerët në këtë seri sidomos, ka një shtrirje globale që fillim në Kore, kalon nëpër Kinë, Afrikë e Kubë, për një fund interesant, pak të papritur, por të përshtatshëm si për epokën e Brosnan, ashtu edhe për vetë filmin.

Pranë Pierce Brosnan, në rolin kryesor të vajzës Bond vjen Halle Berry, gjersa rolet antagoniste sikur zgjerohen pak më tepër, pa qenë një cak i caktuar.

Judi Dench e John Cleese kthehen në rolet e tyre, por vërehet ashiqare mungesa e Desmond Llewelyn në rolin e Q, aktor i cili ndoshta më së miri në krejt serinë e filmave Bond kishte një harmoni skenike me Agjentin 007.

Si tre filmat paraprak, edhe ky është i mbushur me aksion, me momente “eksploduese” e plot adrenalinë.

Sot, si Bondi i parafundit deri më tani, Pierce Brosnan mbetet ndoshta edhe Agjenti 007 i fundit i cili ka shfaqur emocione njerëzore, pasi ajo çfarë do të pasojë me Daniel Craig do të jetë shumë më “robotike.”

Prandaj, është një nostalgji, sa për periudhën ashtu edhe për serinë e filmave, të cilët në thelb nuk janë aq “tronditës” për shikuesin. E vërtetë se shkojnë çdo herë duke u bërë më të mirë, por megjithatë mbajnë një trajektore sa i përket aksionit – të gjithë janë të kënaqshëm.

E “Die Another Day” është film i përshtatshëm për finalen e Pierce Brosnan si agjenti 007 – në nivel me filmat paraprak. Nota personale: 4/5