100m
Finale më të baraspeshuar në 100m nuk kam parë ndonjëherë. Ndoshta për fajin se pjesën më të madhe e kam kaluar nën dominimin e Maurice Greene, edhe pastaj të legjendës Usain Bolt.
Askush më shumë se Noah Lyles nuk meritonte të artën, ndonëse për dallim aq minimal (0.005 sekonda) është njëfarë padrejtësia ndaj Kishane Thompson.
E kur e sheh që vetëm 0.12 sekonda ndajnë tetë personat më të shpejtë në botë, atëherë nëse nuk e ndalon veten futesh në vrimën e lepurit dhe mendimet intrusive. Rekordi botëror është 9.58, që qëndron tash e 15 vite, e ai olimpik 9.63 që nga Londra. A mendoni se do të thyhet ky rekord ndonjëherë?
Ose edhe më keq, ku është limiti i njeriut, deri në ç’kohë mund të zbret rekordi botëror në 100m?
Pak histori.
Në vitin 1891 rekordi botëror ka qenë 10.8 sekonda, jozyrtar. I pari rekord zyrtar ka qenë 11.8 sekonda në olimpiadën e vitit 1896. Në vitet 1980ta kohërat më të mira të sezonit kanë në 9.90ta. Në vitet 1990ta në 9.80ta. Pastaj Asafa Powell shkon në 9.777 në mesin e 2000tave, dhe Usain Bolt e prish lojën.
Pas tij, prapë kemi 9.75+ e 9.80ta. Dhe kjo ndoshta dëshmon që kemi arritur majën e atletikës, kufirin ku kemi shumë veta në 9.80-9.90, por askush nuk mund të shkojë më poshtë! Ndoshta në deri në olimpiadën tjetër 9.70tat do të bëhen “normalja e re.” E me këtë ritëm në vitet 2060ta mbërrijmë në 9.50?
A domethënë që Usain Bolt ishte 50 vite para njerëzimit?
Mando
Tash që mbaruan garat në 100m, dhe sportistët tanë, çka të shohim në javën e fundit?
Qysh sonte kemi një tjetër super-njeri që po thyen rekorde vazhdimisht – Armand Duplantis. Suedezi, vetëm 24 vjeç, ka nëntë vite që fiton gara e mbi 20 herë ka kërcyer mbi 6 metra. I mban të gjitha rekordet, dhe duket se i thyen kur të ketë qejf! Gara e fundit që ka humbur është në kampionatin botëror të vitit 2019 në Doha. Prej atëherë, ka fituar në çdo garë ndërkombëtare që ka marr pjesë. Sot, është koha për rekordin e ri olimpik, rreth 10-20 cm më shumë se aktuali (Thiago Braz, 6.03m)?
Dita 10 – 5 gusht 2024
Sot janë gjysmëfinalet në futboll për meshkujt, çerekfinalet në volejboll për meshkuj dhe hokej fushor për femra. Janë garat preliminare në pingpong ekipor dhe volejboll plazhi. Gjimnastika artistike mbyll garat më herët se ditëve të kaluara, si dhe janë finalet në badminton dhe të fundit në kajak sllallom.
Vonë në mbrëmje janë finalet në basketboll 3×3, pas atletikës. Dita më e qetë e javës së fundit.
Interesante janë edhe garat në çiklizmin në sallë, të cilat fillojnë sot, bashkë me një sport relativisht të ri, ngjitje sportive.
Orari i përzgjedhur (me bold finalet)
- 09:45 Badminton (F)
- 10:00 Ngjitje sportive: Gjysmëfinalet
- 11:45 Gjimnastikë Artistike: Katër finale në aparatura
- 14:30 Badminton (M)
- 15:30 Shenjëtari: Skeet (M)
- 16:43 Kajak Sllaom: M+F
- 18:00 Futboll: Maroku – Spanja
- 19:00 Atletikë: Purtekë (M)
- 19:46 Çiklizëm në pistë: Sprint Ekipor (F)
- 20:30 Atletikë: Disk (F)
- 21:00 Futboll: Franca – Egjipti
- 21:00 Volejboll: SHBA – Brazili
- 21:15 Atletikë: 5000m (F)
- 21:45 Atletikë: 1500m (M)
- 22:00 Basketboll: 3×3 (F)
- 22:30 Basketboll: 3×3 (M)

