Kromozomet

Po të kyçeshit me vonesë në meçin gjysmëfinal të Imane Khelif kundër tajlandezes Janjaem Suwannapheng, nga fytyra s’do t’i dallonit që janë femra, nëse nuk do të kishin kapelën mbrojtëse në kokë, të cilën e mbajnë vetëm femrat tash në boksin amator.

Dukja nuk përcakton gjininë në sport, diku tjetër ndoshta!

Po ta shihnit meçin, do të vërenit që Imanja kishte disa të rëna goxha të forta, dhe ishte dominuese në të tria rundet.

As me këtë nuk mund të përcaktojmë që është burrë, pasi që me stërvitje dhe përkushtim mund të arrihet ajo çfarë nuk ka arritur tri vite më parë.

Dhe kur nuk mjaftojnë stërvitja dhe përkushtimi, atëherë ndihmon testosteroni, i cli shpesh artificialisht injektohet në trup nga sportistët për t’u dhënë avantazh ndaj kundërshtarëve.

Këtu është problemi i Imanes, e cila është femër, si me letra, si me organe (supozoj). Ajo nuk ka vendosur një ditë të sheh veten si grua dhe të rrihet me gra. Ajo ka lindur grua, është rritur si grua, dhe rrihet me gra. Por, ajo ka diçka më shumë se gratë.

Kromozomi xy që i është gjetur në testet e bëra nga IBA, e ka larguar nga Kampionati Botëror, por jo nga olimpiada. Dhe këtu është koha për politikë.

Politika

Kacafytja mes komitetit olimpik ndërkombëtar dhe federatës ndërkombëtare të boksit kanë lindur për shkak të influencës së tepruar ruse në këtë të fundit. Pra, nuk kanë të bëjnë me gjini, a gjëra ideale, por me politikë dhe krahas saj edhe me doping. E te kjo e fundit del që IBA ka rregulla më të rënda se IOC.

Në mesin e luftës virtuale për gjini, Imanja është përdorur nga të dyja palët, padrejtësisht, dhe pa e njohur “problemin” e vërtetë.

Për dallim prej tjerëve, Imanja ka lindur ashtu, për shkak të deformimeve të zhvillimit seksual të saj gjatë shtatzënisë. Ajo është grua, ndonëse ka diçka që kanë edhe burrat.

Dhe ky nivel i testosteronit i jep përparësi në zhvillim, dhe e bën superiore ndaj grave tjera në kategorinë e saj në boks.

Problemi është që kundërshtarët e saja nuk e kanë këtë të metë dhe rrjedhimisht janë të hendikepuara kur fillon meçi.

Çka të bëhet tash?

Imanja është në doping natyral, dhe nuk duhet të lejohet të garojë kundër grave, e assesi kundër burrave. Atëherë do të kemi një rrahje të gruas nga burrat. Ajo do të duhej të zgjidhte një profesion ku niveli i testosteronit nuk të jep përparësi!

Dita 12 – 7 gusht 2024

Sot fillojnë garat në tekuondo e peshëngritje, dy sporte në të cilat do të duhej të kishim përfaqësim Kosova dhe Shqipëria, por jemi ku jemi!

Në program janë çerekfinalet e meshkujve në hendboll, pingpong ekipor, e vaterpolo, si dhe gjysmëfinalet në volejboll. Te femrat gjysmëfinalet janë në hokej fushor, dhe çerekfinalet në basketboll. Ngjitja sportive është ndër sportet e reja që po zgjon interesim, ndoshta do të ishte mirë ta provoni.

Gjermania me Francën vazhdon përballjet ekipore në disa sporte, finalja e diskut te meshkujt do të jetë interesante me treshen Ceh, Stahl, dhe Alekna në luftë për të artën. Ndoshta është rasti i vetëm kur i biri, Mykolas mban rekordin botëror, e i ati, Virgilijus Alekna rekordin olimpik.

Orari i përzgjedhur (me bold finalet)

  • 7:30 Atletikë: Ecje sportive, stafeta e përzier
  • 12:57 Ngjitje sportive: Shpejtësi (F)
  • 13:30 Hendboll (M): Gjermania – Franca
  • 14:00 Hokej fushor (F): Holanda – Argjentina
  • 14:43 Lundrim me vela: Dy finale
  • 15:00 Peshëngritje: -61kg (M)
  • 16:00 Volejboll (M): Polonia – SHBA
  • 17:30 Hendboll (M): Danimarka – Suedia
  • 17:30 Skateboarding: Park (M)
  • 18:30 Basketboll (F): Gjermania – Franca
  • 18:33 Çiklizëm në pistë: Dy finale
  • 19:00 Hokej fushor (F): Belgjika – Kina
  • 19:00 Atletikë: Purtekë (F)
  • 19:30 Not artistik: Akrobacion
  • 19:30 Peshëngritje: -49kg (F)
  • 19:55 Mundje: Tri finale
  • 20:00 Volejboll (M): Italia – Franca
  • 20:25 Atletikë: Disk (M)
  • 20:00 Vaterpolo (M): Italia – Hungaria
  • 21:19 Tekuondo: Dy finale
  • 21:20 Atletikë: 400m (M)
  • 21:40 Atletikë: 3000m me pengesa (M)
  • 22:35 Boks: Dy finale