Amerika
Ndonëse hynë në ditën e fundit me një të artë më pak se Kina, në fund të ditës, sikurse ndodhi në Tokio, SHBA-të do të jenë në krye të listës së vendeve më të suksesshme në Olimpiadat verore me të mbaruar gara e fundit.
Kjo garë ka shërbyer si një luftë e ftohtë ndërmjet SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore, e ne shtjerrjen e trashëgimisë sovjetike nga Rusia, si rival kryesor është shfaqur Kina, duke rikthyer atë betejën ndërmjet kapitalizmit dhe komunizmit.
Përkundër përparësisë në numër banorësh, Kina mbetet një hap mbrapa për shkak të numri të kufizuar të sporteve ku merr medalje. Për dallim prej SHBA-ve, Kina ka dy sporte në të cilat dominon tërësisht me vite dhe i sjellin së paku 10 të arta, ose çerekun e medaljeve që marrin – kërcime në ujë dhe pingpong. Së fundmi kanë marr medalje edhe nga sport më pak të popullarizuar më parë si kajaku e tenisi.
Shtirja e medaljeve në shumë sporte i bën SHBA-të më të suksesshme dhe një hap larg të gjithëve. Dhe mendoj që arsyeja kryesore për këtë janë kolegjet amerikane të cilat ofrojnë programe të ndryshme për sporte të ndryshme.
Janë të njohura kolegjet që kanë programe të shkëlqyera në sporte të caktuara, derisa janë pothuajse të shfarosura në sporte tjera. Kjo ndihmon në identifikimin e talentit dhe ajkës më të mirë për të garuar në arenën ndërkombëtare. I shto kësaj edhe bursat e shkollimin falas, gjë që është një lehtësim psikik për sportistët në fjalë të cilët i përqendrohen detyrës së tyre – medaljeve dhe diplomimit – pa u brengosur për pagesat e semestrave e të ngjashme.
Franca
Me 16 të arta dhe mbi 60 në total, Franca shënon Olimpiadën më të mirë që nga Parisi 1900. Kjo është e pritur, pasi vendet organizatore fillojnë përgatitjet së paku shtatë vite më parë në zhvillimin e talenteve dhe arenave, atëherë kur edhe u jepet e drejta e organizimit.
Kjo ka edhe një efekt pasues, sepse talenti nuk “vdes” me atë organizim, por vetëm sa vazhdon.
Pas Tokios, ku kishin 27 tituj, Japonia në këtë Olimpiadë ka 18 tituj (pa finalet e ditës së fundit). Ky është numri më i madh në histori të tyre edhe para Tokio 1964.
Ngjashëm edhe me Kinën, e cila ka bojkotuar Olimpiadat deri në vitin 1984. Nga 48 të arta, dhe 100 medalje në Pekini 2008, Kina ka vazhduar me 39 të arta dhe mbi 90 medalje në Londër. Në Tokio përsëri kanë qenë 32 të arta e 89 në total, e tash kanë 39 të arta e 90 në total (para ditës së fundit).
Prishtina 2030
Është çmenduri të krahasohemi me SHBA-të, Kinën, e këto vendet tjera që kanë qindra herë më shumë banorë se Kosova.
Ndoshta si vendi më i vogël që organizojmë një ngjarje aq të madhe si Lojërat Mesdhetare (Libani?!), barra për organizimin e tyre është shumë e madhe, e mund të jetë edhe e papërballueshme!
Një vit pas fitimit të së drejtës për organizimin e Prishtina 2030, vetëm se kanë filluar thashethemet për një tërheqjes të së drejtës. E nëse kjo përfundon në një mosmarrëveshje ndërmjet pushtetit qendror dhe lokal, për pikë të vyshkura politike, atëherë mund të harrojmë organizimin, apo bashkorganizimin e çfarëdo ngjarjeje të madhe sportive.
Sigurisht, organizimet e kategorive të ndryshme të Evropianeve për grupmoshat e reja do të vazhdojnë, siç do të jetë javën e ardhshme, por dështimi për vetëm një vit për Lojërat Mesdhetare do të ishte goditja më e madhe që tregon se sa shtet joserioz jemi, i paaftë për të kryer detyrat që merr.
Kjo vetëm sa do të dëshmonte deklaratat e armiqve – ne nuk dimë të mbajmë shtet!
Dita 16 – 11 gusht 2024
Islam Dudaev mund t’i sjellë medaljen e dytë olimpike Shqipërisë sot. SHBA-të do të fitojnë edhe basketbollin e femrave kundër Francës, e gjasat janë të mëdha edhe për volejbollin ku ndeshen me Italinë. Dy finalet më interesante mbeten finalja e hendbollit te meshkujt ndërmjet Gjermanisë dhe Danimarkës, dhe përballja tjetër e fqinjëve në vaterpolo, ku Kroacia përballet me fashistët.
p.s. faleminderit të gjithë juve, që sidomos në Twitter me interaksione të ndryshme, më keni bërë të shijoj edhe vetë këtë Olimpiadë në maksimum. Deri në Los Anxheles, shihemi me gara tjera. Paçi shëndet!
Orari i përzgjedhur (me bold finalet)
- 8:00 Atletikë: Maratona (F)
- 11:00 Pesëgarësh Modern (F)
- 11:30 Peshëngritje: +81kg (F)
- 12:25 Mundje: Tri finale
- 13:00 Volejboll: Finale (F)
- 13:15 Çiklizëm në pistë: Tri finale
- 13:30 Hendboll: Finale (M)
- 14:00 Vaterpolo: Finale (M)
- 15:30 Basketboll: Finale (F)

