Skandali
Dita e parë “parapërgatitore” ta quajmë ishte e përshkruar nga një skandal që ndodhi në ndeshjen e futbollit të meshkujve ndërmjet Argjentinës dhe Marokut. Pas 15 minutave shtesë, golit të shënuar në minutën e fundit të kësaj shtese, reaguan tifozët duke ndërprerë ndeshjen.
Gati dy orë pas ndërprerjes, gjyqtari shikoi VAR-in dhe vendosi se goli ishte ofsajd duke i mohuar barazimin Argjentinës.
Spanja e Franca shënuan fitoret në ndeshjet e tyre, duke ruajtur epitetin e favoriteve për turneun e futbollit të djemve.
Shqipëria
Me tetë garues në këtë Olimpiadë, Shqipëria synon medaljen e parë, që përsëri mund të mungojë.
Emri më i njohur është ai i Luiza Gegas, e cila ndonëse e suksesshme në garat kontinentale në 3000m me pengesë, në garat globale e ka më të vështirë të arrijë te medalja. Franko Burraj në 100m është vetëm numër.
Në qitje, Manjola Konini garon në 10m pistoletë ajrore dhe 25m pistoletë, prapë, pa ndonjë shans për medalje. Njashtu janë edhe dy notarët – Grisi Koxhaku që mund të garojë me të njëjtin grup me notarin tonë në 100m stil i lirë, dhe Kaltra Meça në 200m stil i lirë.
Shanset më të mira për medalje Shqipëria i ka në mundje. Tre mundësit çeçenë që kanë ndërruar Rusinë me Shqipërinë, janë kualifikuar falë suksesit së tyre. Zelimkhan Abakarov në 57kg stil i lirë mund të jetë shpresa më e madhe e Shqipërisë për medaljen e parë në Olimpiada. Islam Dudaev në 65kg, e Chermen Valiev në 74kg, që të dy stil i lirë, janë dy mundësitë tjerë që përfaqësojnë Shqipërinë në Paris.
Dita -1 – 25 korrik 2024
Sot fillon të ngarkohet orari i garave.
Në ragbi shtatësh janë çerekfinalet nga ora 21:00, e më herët fillojnë garat në hendboll të femrave dhe shigjetari me rrethin kualifikues për të dy gjinitë. Futbolli i femrave nuk ka kufizime në moshë, prandaj është shumë më interesant se ai i meshkujve.
Spanja debuton në Olimpiada, dhe do të provojnë të dëshmojnë epitetin e kampiones së botës. Ato ndeshen me Japoninë, ndërkohë Gjermania përballet me Australinë prej orës 19:00. Derbi nordik në hendboll do të ishte mbyllje e mirë e ditës.
09:00 Hendboll (F) Sllovenia – Danimarka (Eurosport 1 DE)
17:00 Futboll (F) Spanja – Japonia (ARD Mediathek, Eurosport 1 DE, TRT Spor)
19:00 Futboll (F) Gjermania – Australia (ARD)
21:00 Hendboll (F) Norvegjia – Suedia (ARD Mediathek)

