Donjeta
Mbresëlënëse ishin fjalët e trajneres së Donjetës mbrëmë. Ka shumë rëndësi të dish të thuash të duhurën në momentin e caktuar. Fjalët pas rundit të dytë sikur çliruan Donjetën e cila ktheu rezultatin në favor të saj për fitoren e parë olimpike të Kosovës në boks.
Tash në radhë është lufta për çerekfinale, e në boks kurrë nuk i dihet rezultatit, mjafton një goditje për të fituar a humbur gjithçka.
Xhudo
Distria Krasniqi është në meçin e pesëmbëdhjetë. Pra, varësisht si ecin duelet paraprake, ajo duhet të jetë në tatami rreth orës 11:00, ose më vonë. Shorti duket i përshtatshëm, por të gjitha yjet e kësaj kategorie janë aty. Më pëlqeu deklarata e saj se “medalja” është e mjaftueshme, pasi dy herë të bëhesh kampione olimpike nuk është lehtë.
Prandaj, më mirë t’i kemi pritshmëritë reale sepse medaljet olimpike janë të rralla për shumë vende, e për disa si BeH e Shqipëria, edhe të paarritshme!
Skandalet (2)
Bija e mundësit iranian dhe mundëses suedeze, Tara Babulfath u eliminua padrejtësisht në gjysmëfinalen e djeshme ndaj kampiones olimpike Natsumi Tsunoda. E përjashtuar për gabimin e tretë, të cilin shumë e konsideruan skandaloz, Tara u desh të kënaqet vetëm me të bronztën.
Ndoshta kjo duhet të na shërbejë si paralajmërim për garuesit tanë në xhudo se jo gjithmonë drejtësia fiton.
E në një skandal tjetër, FIFA përjashtoi një pjesë të stafit të ekipit të femrave të Kanadasë. Kjo për shkak të incizimeve me dron të stërvitjeve të ekipit të Zelandës së Re. Për më tepër, Kanadasë iu morën edhe gjashtë pikë, praktikisht duke i eliminuar nga Olimpiada.
Kjo po që është budallallëk, marrë parasysh që kanadezët janë kampione olimpike, të renditura në Top10 në ranglistën e FIFA-s, rreth 20 vende më mirë se Zelanda e Re, e cila mund të konsiderohet autsajdere, e të cilën edhe e mposhtën në ndeshjen e parë të garave në Paris.
Dje
Nadal e Alcaraz duket të jetë çifti që do të tërheqë vëmendjen në tenis – historia dhe e ardhmja në një anë të terrenit të tyre të preferuar.
Australia udhëheq medaljet me tri të arta, të fituara pas një dominimi në disiplinat përkatëse, sidomos në kronometër rrugor në çiklizëm. Ishte një garë me shumë aksidente për shkak së të reshurave në Paris. Franca fitoi ragbin, por humbi në xhudo e skermë. Kina vazhdoi dominimin në zhytje. Kazakistani fitoi të artën e parë pas ‘agjërimit’ në Tokio.
Dita 2 – 28 korrik 2024
Pra, Distria duhet të garojë rreth orës 11:00 në mëngjes, dhe në rast të kualifikimit për në garat finale, në ora 16:00 pasdite. Këto gara duhet të transmetohen në RTK1, për tjerat, nuk ka ndonjë orar të përcaktuar.
Sot në program janë 13 gara finale, të ngjashme me dje – not, shenjëtari, skermë, xhudo, derisa shtohen çiklizmi malor, kajaku, skateboarding, e shigjetaria.
Nga garat ekipore, Ekipi i Ëndrrave i SHBA-ve përballet me fqinjët tanë veriorë, të cilëve duhet t’ua tregojë vendin. Spikat edhe dueli në vaterpolo mes dy gjigantëve të këtij sporti, Kroacisë e Malit të Zi. Në mbrëmje janë finalet në not, dhe përballja ndërmjet Gjermanisë e SHBA-së.
Orari i përzgjedhur (me bold finalet)
- 09:30 Shenjëtari- 10m Pistoletë Ajrore Meshkujt
- 10:00 Xhudo: Dueli i 15të është i Distrisë
- 12:00 Shenjëtari- 10m Pistoletë Ajrore Femrat
- 11:00 Zhytje – 3m Sinkronizim (F) (ARD)
- 14:10 Çiklizëm malor – Mountain bike (F)
- 16:00 Xhudo: Distria (nëse kualifikohet) (RTK)
- 16:30 Vaterpolo (M): Kroacia – Mali i Zi
- 17:00 Skateboarding (F)
- 17:10 Shigjetari: Gara ekipore (F)
- 17:15 Basketboll (M): Serbia – SHBA-ja
- 17:45 Kajak: Sllallom (F)
- 20:30 Not – 400m stil i përzier (M)
- 20:40 Not – 100m flutur (F)
- 21:00 Futboll (F): SHBA-ja – Gjermania
- 21:40 Skermë (F)
- 21:44 Not –100m gjoks (F)
- 22:15 Skermë/Shpatë (M)

