Loriana

Më në fund do t’ia qëlloj saktë orës kur lufton një xhudoka e jonë. Loriana lufton e para, në ora 10:00!

Është xhudoka jonë e fundit në tatami, dhe njëkohësisht gjasat e fundit për medalje. Por nëse duhet të jemi realist, rezultatet e fundit të Lorianës nuk kanë qenë aq premtuese, megjithëse në xhudo krejt çfarë duhet është një moment pakujdesie e kundërshtares.

Duhet të vlerësojmë xhudokat sepse që të gjithë janë këtu falë punës së tyre, pikëve të mbledhura, dhe jo me dhuratë nga KON-i për të përmbushur kuotën e shteteve.

Sarah, Leon, dhe Katie

Dje ishte ditë relativisht e qetë, dhe pastaj në mbrëmje mbretëresha e sprintit në not e bëri të paimagjinueshmen, mori të artën e dytë olimpike, tetë vite pas Rios, duke befasuar të gjithë.

Me të artën e saj të 51të në gara globale e kontinentale, Sarah Sjoestroem është ndër emrat që kanë përshkruar notin në 15 vitet e fundit.

Fillimi i një epoke po dëshmohet tek djemtë me Leon Marchand i cili tashmë ka tri të arta olimpike qysh në olimpiadën e parë, duke vazhduar dominimin e tij nga dy botëroret e parafundit. Të mposhtësh Milakun nuk është lehtë.

E në mes të dy periudhave, vazhdon dominimi i Katie Ledecky në distancat e gjata të notit në pishinë ku është transformuar viteve të fundit. Dominimi i amerikanes do të vazhdojë ashiqare edhe në Los Angeles ku do të kalojë shifrën prej dhjetë të artave.

Ishte ndër ditët më të mira të notit, dhe gjeras afrohemi kah fundi, mungesa e rekordeve mund të duket si anë negative, por ka qenë ndër olimpiadat më të baraspeshuara në garat e notit që mbaj në mend.

Dita 6 – 1 gusht 2024

Sot fillon edhe atletika, ndonëse vetëm me garat në ecje sportive. Në pingpong, tenis, e badminton janë garat çerekfinale. Garat e BMX janë interesante, tash në sprint, jo në akrobacione. Në gjimnastikë artistike Simon Biles pritet të fitojë lehtë në mungesë të konkurrenteve të denja.

Pos Lorianës, është ditë e qetë në Paris edhe sot, derisa bëhet tranzicioni ndërmjet notit e atletikës, para fundjavës kur do të jenë edhe deri në 30 finale në ditë.

Orari i përzgjedhur (me bold finalet)

  • 07:30 Atletikë: 20km ecje (M)
  • 09:20 Atletikë: 20km ecje (F)
  • 09:30 Shenjëtari: 50m Pushkë 3Pozicione (M)
  • 10:00 Pingpong (F): Çerekfinalet
  • 10:30 Lundrim: Çift njësh (F)
  • 10:42 Lundrim: Çift njësh (M)
  • 10:54 Lundrim: Katërsh (F)
  • 11:06 Lundrim: Katërsh (M)
  • 12:00 Pingpong (F): Çerekfinalet
  • 14:43 Lundrim me vela: Skiff (M)
  • 15:00 Pingpong (M): Çerekfinalet
  • 15:43 Lundrim me vela: Skiff (F)
  • 16:00 Xhudo: (në rast se kualifikohet Loriana)
  • 17:00 Pingpong (M): Çerekfinalet
  • 17:30 Kajak Sllallom: Individuale (M)
  • 18:15 Gjimnastikë artistike – Gara individuale (F)
  • 19:10 Skermë – Garat ekipore (F)
  • 20:00 BMX Çiklizëm: Rrugë (M) Çerekfinalet
  • 20:00 BMX Çiklizëm: Rrugë (F) Çerekfinalet
  • 20:30 Not – 200m shpinë (M)
  • 21:00 Pingpong (M): Çerekfinalet
  • 21:11 Not – 200m shpinë (F)
  • 22:03 Not – 4x200m stil i lirë (F)