Në një bodrum, dy policë arrestojnë një burrë për vrasje.
Është një vrasje e pazakontë – me kamë në zemër të viktimës.
Dorasi thotë se viktima është vampiri i fundit në Londër, konti Drakula, por policët që nuk besojnë në këtë histori të vampirëve e arrestojnë për vrasje. Pa dëshmitarë, dorasi kërkon ndihmën e psikiatrit të tij, Dr. Garth, i cili është i vetmi që beson në rrëfimin e Dr. Von Helsingut, gjahtarit të vampirëve.
Megjithatë për të dëshmuar pafajësinë e Von Helsingut, psikiatri do të duhet të hallakasë nëpër Londër, me ndihmën e të fejuarës së tij, dhe ky hulumtim i dërgon ata te pragu i bijës së Drakulës, e deri nëpër viset rurale të Transilvanisë.
Filmi është një horror pa vulgaritet, si në historinë e Drakulës më, i përqendruar në dialog, e fotografi që përçon për mrekulli ngjarjen dhe frikën që provon të transmetojë ky film.
Është i shkurtër, në pikë, pa shumë sorollatje, i përqendruar goxha në aktrimin që kanë kasti kryesor në portretizimin e duhur të karaktereve kryesore. Gloria Holden është e bija e Drakulës, kuptohet e panjohur për tjerët pos për neve shikuesin, Otto Kruger është psikiatri, Edward Van Sloan është Von Helsingu, secili me një karakter në vete, e më e hareshmja nga të gjithë, dhe ndoshta karakteri më i dashur në krejt këtë film është Marguerite Churchill si e fejuara e psikiatrit.
Është një triler i mirë, horror, klasik, që përqendrohet në përçimin pak më ndryshe të frikës që duhet të ofrojnë horrorët – nëpërmjet rrëfimit e jo si tash me skenat e frikshme. Nota personale: 4/5

