Eddie the Eagle (2015)

Eddie the Eagle (2015)

Një verë pas Olimpiadës së parë verore që kisha përcjellë si fëmijë, bashkë me fëmijët e mëhallës bëmë atë për të cilën na përqeshnin deri vonë adoleshentët dhe të rinjtë lokalë – organizuam Olimpiadën e mëhallës duke luajtur çfarëdo që mund të luanin disa fëmijë ende pa përjetuar pubertetin!

Ishte çmenduri, por prapë, mbetet kujtim për secilin prej nesh, ndonëse ashiqare asnjëri nuk arritën Olimpiadën, apo sportin si profesionistë!

I çmendur dhe në një pozitë të ngjashëm ishte edhe Michael Edwards, shkurtimisht Edie, i cili në vend që të organizonte Olimpiadat në lagje, vendosi të gjejë rrugën për të marrë pjesë në to!

Për të arritur këtë, Edi ushtron vetë në sporte të ndryshme, dhe pas disa dështimeve vendosë të bëjë atë që nuk ka bërë Mbretëria e Bashkuar për 60 vite në Olimpiadat dimërore – të kërcejë me ski!

Kështu fillon aventura e tij drejt Olimpiadës dimërore të vitit 1988 në Kallgari të Kanadasë, nga një ëndërr, nëpër stërvitje, deri te problemet ligjore dhe burokratike me vetë përfaqësuesit e shtetit të tij.

Taron Egerton vjen në rolin kryesor, atë të Edit, ndërkohë Hugh Jackman është trajneri i tij. Në rolet tjera vjen edhe Christopher Walken, Jim Broadbend, e emra tjerë më pak të njohur.

I bazuar në ngjarje të vërtetë, filmi sjell një histori të këndshme, aventurë sportive, që me aktrimin dhe harmoninë që kanë dy aktorët kryesorë, të bën të bësh tifo e t’i përkrahësh ata në këtë çmenduri.

Është përgatitja më e mirë për Lojërat Olimpike Dimërore që nisin pas dy jave, në RTK1. Nota personale: 4/5