Edward Scissorhands (1990)

Edward Scissorhands (1990)

Ashtu si fillon çdo përrallë, në një kështjellë lart në kodër jeton krijesa më e mirë e një shpikësi – Eduardi, pothuajse njeri. Para se t’i përfundonte duart e tija, shpikësi i Eduardit vdiq, dhe i la gërshërët në vend të duarve.

Që nga atëherë, Eduardi ka jetuar i vetëm, deri kur një zonjë e zbulon atë, dhe e merr me vete në shtëpinë dhe lagjen e saj.

E lagjja e saj është aq e bukur, aq e këndshme – të gjitha shtëpitë janë njësoj, por jo të njëjta – një kate, por me ngjyra të ndryshme, dhe vetëm një ngjyrë.

Ashtu janë edhe zonjat e kësaj lagje, secila në vete ka një të veçantë, por të gjitha përshtaten së bashku në komunitet.

Komuniteti ndryshon kur ata njoftohen me Eduardin, i cili tash kësaj lagjeje të bukur, i jep një bukuri shtesë me atë që të gjithë e shohin si gjënë më të shëmtuar të tij – duart si gërshërë.

Kopshtet tani janë kryevepra arti të skalitura nga duart e Eduardit, duar të cila nuk mund ta ushqejnë e t’i ndihmojnë në përditshmërinë e tij.

E kjo përditshmëri e re ndryshon kur një ditë kthehet Kim – vajza e bukur e familjes, po aq e bukur sa skulpturat kopshtare të Eduardit, i cili tash duhet të njoftohet me emocione të reja që nuk kishte ndier më parë.

Sa fillon e të përshtatet në komunitet, sa fillon e të ndihet më shumë njeri, ai njoftohet edhe me një anë tjetër të njeriut – mizorinë dhe ligësinë e tij. Por, a do të përqafojë Eduardi edhe këtë veti të njeriut në karakterin e tij, apo do të vazhdojë të jetë Eduardi që e njihnin të gjithë, por të cilin tash e shohin ndryshe?

Kryevepra e Tim Burton, një përrallë vizuale e pashoqe. Nota personale: 5/5