Eternity (2025)

Eternity (2025)

Filmat për jetën e amshueshme, apo më saktë çdo vepër artistike apo studimore në lidhje me të, gjithmonë zgjon kërshërinë te njerëzit që besojnë në atë jetë.

Në kohë ka pasur shumë komente e përshkrime të saj, vepra artistike në pajtueshmëri e kundërshtim me predikimet fetare, dhe asnjëra nuk mund të përjashtojë veten përderisa është produkt i një kreativiteti të zgjuar.

I tillë del të jetë ky film në regji e skenar të David Freyne.

Historia këtu zhvillohet me tri karakteret kryesore – Lleri, Xhoana, dhe Luka.

Në këtë jetë, Xhoana dhe Lleri janë në moshë të shtyrë. Së pari Lleri merr “biletën” për në botën tjetër, ku në një terminal aeroporti, pret të vendosë se ku e me kë do të kalojë amshueshmërinë. Aty e ka një përcjellës, si të gjithë, dhe të dy këta që kryejnë këtë punë janë goxha të mirë në aktrim – John Early e Da’Vine Joy Randolph.

Në pritje, Lleri takon Lukën, dhe pavetëdijshëm ata kanë diçka të përbashkët – të dy kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre me Xhoanën, të cilën e presin që të dy për të zgjedhur se me kë do të kalojë jetën.

Tash, kur vjen radha e Xhoanës për të shijuar amshueshmërinë, bëhet një trekëndësh i pakëndshëm. Ajo duhet të zgjedh ndërmjet burrit me të cilin ka krijuar familje dhe ka kaluar pjesën më të madhe të jetës – Llerin; dhe burrit me të cilin ka përjetuar dashurinë e parë dhe rininë, por të cilin e ka marr lufta e Koresë – Llukën.

Filmi ka temë interesante, zhvillohet mirë, por si çdo gjë me amshueshmërinë, do të hasë në mospajtueshmëri e pakënaqësi drejt fundit, pavarësisht se si do të përfundonte.

Miles Teller e Callum Turner janë Lleri e Luka, me Elizabeth Olsen ndërmjet tyre, si Xhoana. Që të tre kanë një harmoni të mirë në film, duke arritur të përçojnë nervozizmin, shqetësimin, dhe gëzimin e situatave që i përcjellin.

Ide inovative, mirë e realizuar deri diku, aktrim i mirë. Nota personale: 4/5