Këto seritë post-apokaliptike, në të cilat e kam pak zor të adaptohem, ashtu si me lojën, të cilën përsëri kam provuar ta luaj, por nuk di nga të shkoj, më lënë disi më shumë të habitur se të zhgënjyer.

Megjithatë, sezoni i dytë i Fallout, bën punë të mirë duke u përqendruar në karakteret kryesore, duke zhvilluar historinë e tyre në trajektore dhe hapësirë të ndarë mirë mes tyre.

Dhe, sa shkojmë para, aq edhe kthehemi mbrapa për të kuptuar më në thelb karakteret.

Te sezoni i dytë kemi Maksimusin, i cili ndoshta ka qenë më në rrugëkryq nga të gjitha karakteret kryesore në sezonin e parë. Do të ishte mëkat po të vazhdonte kjo paqartësi e tij, dhe kemi disa raste ku kjo sfidohet, dhe realizohet përkryer.

Mendoj që një skenë nga pjesa e dytë e sezonit ka qenë ndër më të mirat në krejt serinë deri tash, jo vetëm në historinë e Maksimusit.

Aventura e Lusit ka qenë e çuditshme, dhe ndonëse e pandashme në disa pjesë me atë Kuperit, përsëri që të dy kanë pasur historinë dhe hapësirën e tyre individuale që ka ndihmuar edhe më shumë misionin e tyre të përbashkët.

Që të dyja si karaktere kanë një zhvillim të hatashëm duke tërhequr njëri-tjetrin më pranë vetes, përkundër dallimeve të mëdha.

Njëkohësisht, që të dy janë sfiduar nga ana tjetër e “historisë,” Lusi me të atin, e Guli me Hausin.

Në përgjithësi, ngjarja është bërë më serioze, pos asaj pjese me Kevin MeKallisterin ndoshta, karakteret kanë vazhduar të zhvillohen e të përforcohen në këtë botën e re, të pamëshirshme, e disa tjera e kanë gjetur fatin që kanë merituar.

Sezon goxha i mirë, i ndërtuar e shtjelluar si duhet, me aktrim fenomenal të aktorëve kryesorë, nga Ella Purnell e Walton Goggins, te Aaron Morten, Justin Theroux, Macaulay Culkin, dhe kuptohet, Kyle MacLachlan.

Shpresojmë të vazhdojnë me këtë ritëm. Nota personale: 5/5