“Derisa i mençuri mendohet, budalla veç është tri hapa para.”
Ka edhe shumë fjalë të urta popullore për ngutinë e mendimet e tepërta, e këto të fundit shihen si diçka negative në shoqërinë tonë moderne.
Si një ves që më ka ndjekur nga prej që e mbaj mend, sigurisht për shkak të karakterit të mbyllur, për ç’ gjë jam ndier si diçka që nuk e ka vendin në shoqëri deri në “zbulimin” e asaj që quhet introvert, mendimet dhe imagjinata e tepërt më ka bërë të kalojë më shumë kohë në kokën time se sa në jetën reale.
Ky ves përshkallëzohet kur mëson për “efektin flutur” dhe që veprimet tona minimale mund të kenë pasoja indirekte me përmasa gjigante te dikush tjetër.
Kështu, një DJ radio bën shaka me një dëgjues, i cili më pas shkon dhe kryen akt terrorist duke ndikuar në jetët e shumë njerëzve, jo vetëm viktimave. Një nga këta, është një profesor, bashkëshort i njërës prej viktimave, i cili nga pikëllimi ka humbur veten dhe tash jeton rrugëve me një ide të çuditshme.
Jeff Bridges vjen në rolin e DJ, e Robin Williams është në rolin e Perrit, bashkëshortit të viktimës.
Për të shpaguar për gabimin e tij në radio, ku e sheh veten si nxitës i atij akti terrorist, DJ vendos të provojë të shpëtojë Perrin nga jeta e re, në të cilën mendon se e ka shtyrë vetë ai.
Pra, e kemi një “normal,” dhe një “jonormal,” në rolet kryesore, me një harmoni të mahnitshme skenike të këtyre dy aktorëve. Robin Williams si gjithmonë është i përkryer në rolet e tija, dhe përsëri duket që gjithçka i ka shkuar për dore, nga jashtëtokësorët, te profesorët, e rrugaçët!
Filmi është në regji të Terry Gilliam, puna e të cilit nuk është për shijen time, dhe kjo vërehet në shumë raste, por dyshja e aktorëve dhe tema e filmit tejkalon regjinë. Skenari është nga Richard LaGravenese.
“The Fisher King,” i emërtuar nga një mit për kohën e Mbretit Artur, përçon një mesazh filozofik për shëndetin mendor dhe vetë jetën e njeriut, nga “normalja,” tek “imagjinata.”
Nuk është aq film i rënd për t’u “përtypur,” nuk ka ndonjë skenë të rëndë, pos nëse nuk preferoni të shihni dy aktorët nudo, por është goxha emocional, dhe mund t’ju shtyjë të mendoni për veprimet e vogla që kanë qenë pjesë e një zinxhiri ngjarjesh që ju duket se ju bëjnë doras të një gjëje të keqe.
Por, kjo është jeta, një zinxhir veprimesh të cilat ndonëse për momentin nuk duket të kenë kuptim, e të jenë të padrejta, në histori, kur shikojmë mbrapa, megjithatë kanë një efekt pozitiv te dikush e në diçka, dhe jo gjithçka është negative.
“Fisher King” është një aventurë e këndshme me Robin Williams e Jeff Bridges nëpër shëndetin mendor dhe vetë jetën. Nota personale: 4/5

