Në posterin e këtij filmi është një listë me krejt emrat e aktorëve që luajnë në këtë film, dhe kur filloni ta lexoni e shihni se janë të mbledhur të gjithë emrat e kinematografisë angleze në “formë” gjatë viteve të fundit të mileniumit të kaluar.
Kjo nuk vërehet në poster, për shkak se emrat janë të renditur sipas alfabetit, por kur mbërrini në fund e shihni që Maggie Smith, Hellen Mirren, Richard E. Grant, Michael Gambon, Kristin Scott Thomas, Emily Watson, Kelly Macdonald, Ryan Philippe, Clive Owen, e të tjerë janë pjesë e një kasti që është tipik anglez.
Ngjarja zhvillohet në një kështjellë, pallat, a çka janë ato bujtinat e borgjezëve, të cilët janë të zhytur në injorancën e tyre snobe, deri kur ndodh një vdekje, dhe pastaj fillojnë të frikësohen e të kërkojnë dorasin.
Filmi ka pak natyrë të bukur, e interieri është shumë i errët, dhe aty këtu dëgjon një aksent hundor anglez.
Do të thosha që është për fansat e “Downton Abbey,” por nuk është as afër asaj serie, së paku episodeve fillestare.
Nuk ka asgjë të veçantë në këtë film, tipik anglez, në çdo aspekt, por asgjë më shumë. As i mirë. Nota personale: 1/5

