Qysh në skenën e parë mund të vërejmë se bota e Harri Poterit ka ndryshuar pas ngjarjeve në filmin paraprak.

Dhe ky ndryshim, ky boshllëk vërehet me ardhjen e Dadllit dhe pastaj dementorët. Është një shtytje direkt në “luftë,” në atë që na pret përgjatë gjithë këtij filmi, por që kjo është vetëm pika hyrëse, ndezja e fitilit që do të vazhdojë me Harrin e Urtimorin duke provuar të shfajësojnë veten për krejt akuzat që ju ngarkohen.

Menjëherë pas sulmit, kemi edhe rreshtimin e mbrojtjes, Rendin e Feniksit, që pas një fluturimi mbi Londër na dërgon te ndoshta vendbanimi më normal deri tani në botën e magjishme të JK Rowling – bazën e kësaj force të rezistencës.

Një e tillë do të pasojë edhe në Hoguorts, më saktë në Hogsmid, që si gjithmonë duket magjishëm. I magjishëm edhe i paparë më herët është ambienti i skenës së fundit të filmit.

Karakteret e reja janë kryesisht negative në këtë film, nga Doloresi deri te Ministri (të cilin e kemi parë edhe te katërshi), dhe kësaj radhe Harri duket i pambrojtur, e kjo vetëm sa shkon e rëndohet.

Historia është e mrekullueshme, si gjithmonë, e edhe aktrimi shkon në të njëjtin nivel me fëmijët që tash rriten, e kemi edhe karaktere dytësore që bien më shumë në sy, nisur nga Luna.

Mbi të gjitha kemi një njoftim me teknikën e David Yates, i cili merr timonin e regjisorit në këtë film për të vazhduar deri në filmin e fundit. Dhe shumë merita për anën vizuale, e cila vërehet në këtë film me disa skena magjepsëse, nga fluturimi deri në fund.

Teknikisht, duhet të jetë filmi më i mirë deri më tani, nga katër paraprakët, dhe kjo vetëm sa do të shkojë e të bëhet bazë që do të zhvillohet më shumë në filmat pasues. Nota personale: 5/5