Nuk është problemi te rregullat kontroverse sa tek ideja që duan të na e shesin si një sport emocional.
Edhe kjo, emocionet, nuk janë diçka që duhet të kemi patjetër në çdo garë të Formula 1.
Kemi pasur me vite dominim të një ekipi mbi tjerët – Mercedesi, Red Bulli, e para tyre Ferrari me Michael Schumacher.
Por, krejt kjo ideja që është bërë më interesante, diçka që më është dukur edhe mua në garën e parë, del të jetë vetëm një iluzion në planin afatgjatë.
Tejkalimet po bëhen për shkak të mungesës së shpejtësisë të një bolidi ndaj tjetrit, jo se tjetri po është më i mirë.
Më shkurt, po tejkalohen sepse i tejkaluari po ngadalësohet, jo që tejkaluesi po është më i shpejtë, a më i mirë.
Dhe pastaj startet kaotike, sidomos ai i Kinës.
Formula E
E përcjell Formula E dhe ata nuk kanë kësisoj problemesh.
As për mbushje të baterive – e kanë të caktuar zonën, e bëjnë mbushjen, e dinë sa kohë kanë epërsi ndaj tjerëve.
Ideja që Formula 1 të kalojë në një strategji në shteg nga ajo në pit duket të jetë sa shumë para, aq edhe e kotë për momentin.
Por, nuk besoj se do të ndryshojnë rregullat.
Edhe nuk besoj se duhet të ndryshojnë në këtë sezon, por pastaj ndodhi ajo me Bearmanin, që ishte e frikshme!
Do të duhet kohë të adaptohen të dy palët – bolidët e rregullatorët, të gjejnë një mes të artë, dhe t’i kthehen sportit.
Ndërkohë, asgjë nuk është tragjike që kemi tri ekipe që janë shumë mbi tjerat. Kjo është normale, e shumë më interesante se hiq më pak se tri vite më parë kur Red Bulli fitonte të gjitha garat!
Mercedesi
Lufta interesante do të jetë ndërmjet Antonellit dhe Russellit, dhe dihet që Totos nuk i pengon garuesi i dytë të fitojë titullin, sidomos që Russell mund të jetë larg Mercedesit sezonin e ardhshëm.
Ndoshta kjo mund të jetë pjesa më interesante e këtij sezoni, lufta e brendshme e Mercedesit, dhe kjo luftë mund të kalojë edhe te Ferrari e McLaren. Derisa Ferrari është e sigurt se do të mbetet me Leclercin, mundësia që Piastri të largohet nga McLaren në fund të sezonit do të jenë të mëdha.
Irani
Dhe tash, ky pushim ndërmjet garës më të kotë në krejt kalendarin – Majami, është si një pushim i mirë për të gjithë neve.
Ekipet kanë kohë të përmirësojnë bolidët, Formula 1 të provojë të ndreqë rregullat, e ne të shijojmë gara tjera, për të cilat do të shkruajmë javëve tjera, të martave kryesisht.
Aprillia
Goxha i bukur ka qenë fillimi i sezonit në MotoGP.
Pas vitesh dominimi të Ducatit, pas tri garave kemi të Aprilliat në mesin e pesë skuadrave më të mira, dhe KTM-në me Pedro Acostan.
Gjërat janë zbukuruar me rikthimin në formë të Jorge Martin i cili me dy podiume dhe një sprint të fituar në Brazil e Amerikë vetëm sa përforcon idenë që Aprillia është mbi tjerat dhe ndjek Bezzecchin pas startit fantastik të sezonit.
Por, befasia më e këndshme është Pedro Acosta me KTM që po gjen veten në dy podiume, dhe në shteg është ndër motoçiklistët më të guximshëm, sidomos kundër Marquezit, gjë të cilën e ka bërë edhe vitin e kaluar ndaj një super-Ducatit.
Topraku
Edhe këtu, si te Formula 1 na pret një pushim më i gjatë, e ndërkohë, ndoshta Yamaha gjen rrugën, dhe Topraku mundësinë për të treguar aftësitë e tija të vërteta, sepse nuk është kaq i dobët sa është skuadra e tij.
Tekefundit me BMW fitonte Superbike!
Fundjava
Fundjava e parë e prillit është e varfër për nga sportet motorike, kështu që do të gjejmë më shumë kohë të shkruajmë për disiplinat dytësore.

