Larg asaj pjesës konspirative për Peter Pan është kjo pjesa e përgjithshme ku shohim një djalë me jetën plot aventura që shijon gjithmonë fëmijërinë.
E në filmin e Steven Spielberg, Peter Banning është një biznesmen, baba, dhe bashkëshort që ka harruar këto dy të fundit. I përqendruar vetëm në punën e tij, Peter me Moirën dhe dy fëmijët e tij vendosin të kalojnë pushimet e fundvitit në Londër.
Në Londër jeton gjyshja e Moirës, Wendy Darling, e cila gjithashtu është kujdesur për Peterin kur ky ka qenë fëmijë.
Gjatë një nate me darkë biznesi, fëmijët e Peterit zhduken dhe ai duhet të gjejë magjinë e së të shkuarës për të kthyer ata, ose rrezikon që t’i humbë përgjithmonë.
Filmat e Steven Spielbergut janë plot art, përfshirë edhe në çaste e skena të panevojshme, por që thjesht në vete kanë atë farë momentin, i cili mund të jetë fare i nevojshëm për filmin a rrëfimin, por është aty.
Kjo e bën filmin shumë të gjatë, më shumë se dy orë e gjysmë, që edhe mua më bëri të fle, e lëre më fëmijët!
Robin Williams vjen në rolin e Peter, Dustin Hoffman është kapiteni Hook, Maggie Smith është Wendy, e rolin e saj si fëmijë e luan Gwyneth Paltrow. Julia Roberts vjen në rolën e zanës, e hapësirë në film ka edhe këngëtari Phil Collins.
Me krejt këta emra, nuk kemi çka komentojmë për aktrimin, i përsosur.
“Hook” është film i këndshëm, familjar, si në stilin e Steven Spielberg, por goxha i gjatë, e edhe personalisht historia e Peter Pan nuk më është dukur mbresëlënëse kurrë, ndoshta nga inati që ai nuk ka nevojë të rritet e të merret me dynjallëk, por shijon fëmijërinë e përhershme. Nota personale: 4/5
