Për t’i larguar frikën e paarsyeshme dikujt, i themi se “ata frikësohen më shumë se ti,” për shembull për merimangat.
Ose bletët!
Është e papritur që një hotel me vampirë të ketë frikë nga një njeri, por kjo është tema e filmit “Hotel Transsylvania,” që është një hotel ekskluziv për qenie jonjerëzore, udhëhequr nga Drakula.
Kur një vizitor i papritur shkel në hollin e hotelit, Drakula bën panik se sekreti i hotelit të tij është zhdukur, dhe po e mësuan klientët e tij të rregullt, biznesi i tij do të merr fund.
Por, një frikë më e madhe shfaqet kur e bija e tij, ende tinejxhere, feston ditëlindjen e 118të, me dëshirën më të madhe – të shohë botën e njerëzve. E kur kjo botë i vjen në prag, atëherë Drakula humb toruan.
Filmi është goxha i këndshëm, histori interesante, kryesisht për shkak të roleve të ndryshuara – vampirët frikësohen nga njeriu – animacion i bukur, dhe mbi të gjitha, zëra komik.
Te zërat janë Adam Sandler e Selena Gomez si babë e bijë, Andy Samberg, Kevin James, Steve Buscemi, Fran Drescher, Jon Lovitz, David Spade, pra të gjithë komikët më të mirë.
E filmi nuk do të mund të mos dilte i mirë kur regjinë e bën Genndy Tartakovsky, i cili ka sjell super-seri të animuara në të ‘90tat si Dexter’s Lanboratory e Powerpuff Girls.
“Hotel Transylvania,” është nga ata filmat që me premisën e frikës, na japin të qeshura pa fund. Nota personale: 4/5

