Nuk jam fans i filmave të këtillë, por ja që janë disa tituj që i shikojmë, dhe pastaj provojmë të shohim si janë punët me “ribërjet” e tyre që vijnë shumë vite më vonë.
Ngjashëm edhe “I Know What You Did Last Summer” provon të përçojë drithërimin dhe misterin e filmit me të njëjtin emër të shfaqur në vitin 1997.
Dhe më e mira është që arrin të ndërlidhet në mënyrë të suksesshme me atë film duke ofruar atë që do t’u pëlqente fansave, ndonëse prapë duket se mund të ketë momente e devijime sado të vogla, po aq të panevojshme.
Filmi fillon hareshëm me një grup miqsh të cilët për shkak të pakujdesisë së tyre shkaktojnë një aksident trafiku, dhe të cilin, ashtu siç mund të pritej, provojnë ta fshehin nga tjerët, ani pse ka mospajtime.
Një verë më vonë, Danika, Sarah e “Outer Banks,” pranon një mesazh që thotë shkurt dhe anglisht “I Know What You Did Last Summer,” duke aluduar në sekretin që janë betuar ta mbajnë grupi.
Kjo nis një seri misteresh që përfshijnë karaktere të ndryshme, shpesh edhe të papritura.
Pos Madelyn Cline në rolin e Danikës dhe Chase Sui Wonders të shoqes së saj, Avës, vijnë edhe disa emra nga e kaluara dhe ngjarjet në filmin origjinal.
Përkundër që nuk është në zhanrin tim të preferuar, filmi arrin të përçojë frikën dhe misterin për të cilën është i bërë, me një aktrim në nivel. Është pak i gjatë duke u përhapur në mënyrë joproporcionale, por prapë, mbetet i mirë. Nota personale: 3/5

