Historia e Menit, Sidit, dhe Diegos në filmin e dytë për Epokën e Akullnajave merr një kah më serioz, më të pjekur, ndoshta me idenë që fansat nga filmi i parë janë rritur, por ende provon të ruajë diçka të freskët për fansat e rinj.

Në filmin e dytë, si mund të shihet nga vetë titulli, lugina rrezikon të vërshohet pasi akulli po shkrihet. Treshja mëson se ka një mënyrë shpëtimi, por jo aq shumë kohë, dhe në këtë mision, ata bashkohen në kolonën e migrimit ku gjejnë shoqëri të papritura, sidomos Meni.

Aktrimi i treshes kryesore, si dhe historia e Skratit në universin e tij jo aq paralel me ngjarjet kryesore, janë në të njëjtin nivel të mirë nga filmi i parë. Por, ardhja e karaktereve të reja, rrjedhimisht zërave të rinj sidomos Queen Latifah që sjell një karakter krejt ndryshe nga treshja, arrijnë të adaptohen në ngjarjen kryesore dhe ka një harmoni të mirë mes karaktereve të reja dhe atyre tashmë të njohura.

“Ice Age 2” është në nivel me filmin e parë në aspektin artistik, sjell risi të këndshme, ngjarja transformohet për mrekulli nga filmi i parë në këtë, e edhe pjesa teknike është më e mirë.

Një argëtim i këndshëm familjar. Nota personale: 4/5