Pasi rehatohen karakteret kryesore e tre filmave të parë, në filmin e katërt, dhe të fundit të “Epokës së Akullnajave,” kemi finalen e kësaj epoke si dhe finalen e historisë së karaktereve që na kanë shoqëruar e kënaqur në tre filmat e parë.

Tema është pak më ndryshe se tjerat, me krejt ndarjen e kontinenteve, dhe paraqitjen më të madhe të njerëzve, por prapë, mbetet e shikueshme. Pos zërave kryesore, janë disa prurje të reja, fantastike, si Wanda Sykes në rolin e gjyshes së Sidit, dhe Peter Dinklage në rolin e piratit. E mirë është edhe Shira, zëruar nga Jennifer Lopez, e cila mbyll historinë e një karakteri tjetër të rëndësishëm.

Kur jemi te karakteret e rëndësishme, sigurisht që nuk mund të harrojmë Skratin dhe ndjekjen e tij nëpër krejt këtë periudhë për lajthinë, arrën, a çfarëdo që është ajo!

Por, janë edhe ata që nuk i shërbejnë fare filmit, e edhe personalisht për mua janë nerva-prishës, edhe me zërin, pa pasur nevojë t’u shohim surratin – Josh Gad, Drake, Nicky Minaj, e Aziz Ansari.

“Continental Drift,” mbetet filmi më i dobët në krejt serinë e filmave “Ice Age.” Megjithatë është një finale e nevojshme për të përmbyllur historinë e karaktereve dhe krejt epokës së akullnajave. Nota personale: 3/5