In Bruges (2008)

In Bruges (2008)

Mendoj që Martin McDonagh ka vizituar Bruzhin, ka rënë në dashuri me të, dhe për t’i treguar tjerëve bukuritë e këtij qyteti ka vendosur të bëj një film që nuk do të duket si një dokumentar turizmi. Për të ‘fshehur’ këtë ai e ka bërë një histori aq tërheqëse në vete sa që të bën të duash këtë film në mënyrë të pavetëdijshme.

Sigurisht, kjo është vetëm ide e imja, një mënyrë për të shprehur dashurinë për këtë kryevepër arti që ngërthen në vete një rehati shpirtërore duke të vendosur në rolin e një turisti që provon të shijojë një qytet goxha të bukur në vete, me një bukuri që nuk e kuptojnë tjerët.

Në Bruzh, dy javë për Ken duket një pushim goxha i lezetshëm, me shumë ndërtesa e vende për të vizituar, e për Rej, të qëndrojë në këtë bërllok, për dy javë, me Ken është dënimi më i rënë i mundshëm.

Dhe në fakt fajin për këtë pushim e ka Rej, i cili si një vrasës me pagesë ka dështuar në misionin e tij. Pas këtij dështimi, Herri i ka urdhëruar të dy të largohen nga Anglia për dy javë dhe të rrinë larg krimit, në Bruzh. Ose deri kur të lajmërohet vet Herri.

Para “The Banshees of Inisherin,” ishte “In Bruges” që na solli njërin nga bashkëpunimet më të mira skenike në filmat e viteve 2000ta. Colin Farrell luan rolin e Rej, atij që nuk i pëlqen qyteti ku janë të ngujuar për fajin e tij. Brendan Gleeson është (thjesht një) Ken i clii sinqerisht është i interesuar në atë që ka të ofrojë qyteti dhe kjo aventurë e re.

Janë dy njerëz të thjeshtë që nuk ta çojnë mallin e vrasësve, me qasje të ndryshme ndaj jetës, që provojnë të mbijetojnë në Bruzh deri në thirrjen e shefit. Dhe kjo e bën këtë film madhështor, shoqëruar nga fotografia e muzika që të lidhë me filmin në minutat e para, para se të vërehet shkrimi dhe regjia fantastike e Martin McDonagh që e kthen këtë film në një kult në vete.

Është përvojë unike në botën e filmit, ashtu siç di të bëjë vetëm Martin McDonagh, puna e të cilit në këtë film nuk përsëritet askund tjetër. Nota personale: 5/5