Taksirati i zë veç njerëzit e mirë!

Ndoshta për këtë fakt kryesisht njerëzit e mirë janë ata që e teprojnë me mendime e brengosje. Sepse në momentin që ndihen rehat, diçka e keqe do të ndodhë.

Kështu, një ditë, Billin e zë taksirati.

Është e njëjta ditë kur Xhorxh Beilli bën nijet t’i jap fund jetës së tij, e cila ka qenë e mbushur me ‘taksirate’.

Së pari, Xhorxhi ka humbur dëgjimin në njërin vesh duke provuar të shpëtonte vëllanë e tij të vogël, i cili rrëshqet në një përroskë. Pastaj kur bëhet gati të shëtis botën, përsëri edhe një taksirat, e pastaj përsëri edhe një taksirat, e taksirat pas taksirati dikur i plasë Xhorxhit.

Klasiku i Frank Capras fillon me një skenë më ndryshe – kemi disa yje apo yjësi që flasin ndërmjet vete derisa bëjnë gati të dërgojnë Klarensin për t’i ndërruar mendjen Xhorxhit, i cili ka vendosur t’i jap fund jetës së tij në natën e Krishtlindjeve.

Xhorxhi është një ‘shpirt i huaj’, i cili, ndonëse me ëndrra më të mëdha se vendlindja e tij nga e cila gjithqysh mendon të zhvendoset, gjithmonë vë para nevojat e tjerëve para dëshirave të tija. Kështu ai në atë natë Krishtlindjesh është i dëshpëruar kur biznesi i tij huadhënës është para falimentimit për fajin e Billit.

James Stewart e Donna Reed japin performancën e jetës së tyre, derisa magjia e Frank Capras definon një zhanër të artit kinematografik me një kryevepër që sot fatkeqësisht është e zmbrapsur vetëm si filma televiziv të Hallmark Channel.

Shtrirja e historisë, që nga nisja e Klarensit deri në skenën e fundit, ndërlidhja e skenave që japin pasqyrën e plotë të historisë duke mbajtur shikuesin të lidhur me ngjarjen fund e krye, është e realizuar në mënyrë të përkryer duke e bërë ‘It’s a Wonderful Life’, për mua së paku, filmin më të mirë të bërë ndonjëherë.

Është një film ngrohës, pozitiv, me një histori frymëzuese edhe për çastet më të vështira, e sidomos për çastet më të mira të jetës sonë. Është një përballje ndërmjet të mirës e të keqes, duke shtyrë këtë të fundit mënjanë për të rekrutuar shikuesit në anën e të mirës. Në anën e atyre që i zë taksirati. Nota personale: 5/5