Tom Cruise në rolin e Jack Reacher është sikur Ethan Hunt, veçse në ilegalitet, ose më mirë themi “nën radar.”
Filmi fillon frikshëm, një snajperist fillon të qëllojë qytetarë nga furgoni i tij para se të largohet. Policia, i gjen gjurmët që e shohin fajtor një ish-snajperist të ushtrisë amerikane.
I mbrojtur në heshtje, ai jep vetëm një letër “gjej Jack Reacher.”
E Jack Reacher, tash larg ushtrisë dhe ish-hetues fillon hetimin e tij ndihmuar nga mbrojtësja e të dyshuarit kryesor, Helena që portretizohet nga Rosamund Pike.
Gjatë këtij hetimi të pavarur, Reacher dhe avokatja hasin në befasia të pakëndshme e të papritura tmerruese.
Pos këtyre, filmi sjell edhe disa skena të përndjekjes, në këmbë e në veturë, me njërën nga vozitjet më të “çmendura” të Tom Cruise në film.
Pos Rosamund Pike, në rolet dytësore vijnë Richard Jenkins e Robert Duvall që ngjajnë si babë e bir, Werner Herzog e Davi Oyelowo.
Regjia e skenari vijnë nga Christopher McQuarrie që bën një punë fantastike sidomos në kapjen e skenave sa në aksion, sa në qetësi, që e bëjnë këtë film të shkëlqyeshëm. Filmi të mban të lidhur me ngjarjen e aksionin fund e krye, sa duke kërkuar gjurmët gjatë hetimit, edhe më shumë gjatë aksionit, ikjes e ndjekjes, e edhe dialogëve të shoqëruar me grushte e shqelma.
Bile, mendoj që kjo punë e McQuarriet dhe bashkëpunimi me Cruise i kanë zgjatur jetën serisë Mission: Impossible, të cilët kanë vazhduar të na sjellin super-filma aksion-triler. Nota personale: 5/5

