Me kthimin e Paul Greengrass, por pa Tony Gilroy si skenarist, i cili kishte bërë edhe regjinë te “Legacy,” si dhe vetë Matt Damon, “Jason Bourne” rikthen shijen e trilogjisë origjinale.
Por, prapë diçka mungon, dhe vërehet mungesa e Gilroyit, por jo sa e Greengrassit e Damonit te “Legacy.”
Filmi fillon 12 vite pas ekspozimit të Blackbriar, me Bourne që tash është më afër nesh, në kufirin ndër-shqiptarë në atë që quhet Greqi sot! Aty Bourne “punon” si luftëtar ilegal.
Në anën tjetër të Evropës, në Islandë, Niki hakon serverët e CIA-s për të zbuluar tjera programe të fshehta, gjatë të cilit proces mëson për të kaluarën e Bourne dhe babanë e tij. Në Athinë, ajo takohet me Bourne për të shkëmbyer këto informata, por tashmë janë duke u ndjekur nga CIA.
Në krye të kësaj ndjekje është drejtori Djui – Tommy Lee Jones, dhe operativja e re, Hedhër – Alicia Vikander.
Dhe përsëri fillon loja e maces me miun, tash me Bourne që fillon të kujtojë edhe një periudhë më të hershme të jetës së tij, themelet e tij dhe transformimin nga Webb.
Në krejt këtë lojë, përfshihet edhe Aseti i Djuit, një person misterioz, besnikëria e të cilit nuk dihet se ku qëndron.
Pjesa e parë e filmit është pak e “mundimshme,” për shumë arsye. Këtu ndoshta vërehet pak mungesa e Gilroy, e edhe shihet si një shtrirje e panevojshme, por ja që ashtu e bëjnë.
Pjesa e dytë e filmit është tipike për Bourne, në nivel të trilogjisë, kryesisht falë aktrimit të Bourne i cili arrin të përçojë atë misterin dhe shqetësimin në ekran.
Nuk është si trilogjia, por është shumë më i mirë se “Legacy.” Do të duhej të kishim edhe vazhdime tjera, por me kusht që t’i kthehemi trilogjisë. Ka bazë të mirë për të vazhduar, sidomos me një fund të tillë. Nota personale: 4/5

