Nuk di si ta shpjegoj obsesionin e njerëzve me dinozaurët. Në fakt nuk kam ditur kurrë ta kuptoja për vete, dhe më shumë më zgjon kureshtjen një film fantastiko-shkencor si Star Wars se sa seria Jurassic.
Por, në tentim për të kuptuar këtë farë obsesioni, ende vazhdoj të shikoj këta filma, dhe ndoshta duhet të heq dorë nga tentimi për të kuptuar e shijuar këta filma.
Sepse nuk e di edhe sa filma tjerë “Jurassic…” do të mund të bëhen. Disi vazhdimet me “Fast & Furious” janë më origjinale – nuk ka aq shumë riciklim sa këtu.
E këtu, një skuadër udhëton në tropikun e mbetur si vendi i vetëm për mbijetesën e dinozaurëve. Qëllimi i tyre në këtë zonë të ndaluar është të sigurojnë ekstrakt për një ilaç që kërkon ta zhvillojë një kompani farmaceutike.
Dhe në këtë aventurë, gjendet edhe dikush i pafat, dhe bashkë me skuadrën duhet të luftojnë për mbijetesë, si zakonisht.
Scarlett Johansson, Mahershala Ali, Jonathan Baikley, e Rupert Friend vijnë në rolet kryesore. I gjatë më shumë se dy orë, filmi është sukses komercial, gjë që garanton edhe një vazhdim tjetër të kësaj serie. Nota personale: 1/5

