Prej një titulli rezistence në zenitin e pushtetit armik deri në gazetë që publikohet një herë në vit edhe anë në vetëm një zinxhir dyqanesh, rënia e Kohës Ditore është një histori e dhimbshme.
Vetëvrasjet e Kohës
Grupi Koha është vetëvrarë disa herë gjatë 15 viteve të fundit.
E para erdhi nga ish-çiraku i Kohës Ditore, B^tonit i cili me pavarësinë e Kosovës filloi me kanalin e tij privat që trazoi tregun mediatik duke kërkuar alternativë për garat sportive me të cilat deri atëbotë njihen Koha.
Sigurisht që politika redaktoriale e Kohës do të dëmtohej gjatë pushtetit të dy partive armiqësore deri në vdekjen e presidentit Rugova, pasi dihet haptazi që politika dikton mediat në një mënyrë a tjetrën. Edhe RTK kishte pësuar nga ai koalicion politik, dhe dihen arsyet!
Vetëvrasja e dytë erdhi me refuzimin e aktivizimit të portalit Koha.net nga frika që po dëmtonte mbase shitjet e gazetës.
E treta ishte me ngritjen e çmimit në 0.50 euro, gati dyfish sa gazetat tjera, dhe me të cilin çmim do blije së paku një bukë e gjysmë në ditë.
Vetëvrasja e katërt erdhi nga keqmenaxhimi KTV-së duke lejuar ikjen e më të mirëve nga Birol Urcan e deri tek krijimi i ‘zajednicave’ brenda vet kanalit, të cilat më pas iu bashkuan kanaleve tjera konkurrente.
Vetëvrasja e pestë erdhi nga pandemia, duke mbyllur gazetën edhe përfundimisht, e çmimi online i së cilës ishte më shtrenjtë se NY Times, The Post, The Times, e The Guardian së bashku.
Koha sot
Me idenë që gjithkush është i zëvendësueshëm, Koha nuk frikësohej nga largimi i emrave të mëdhenj, të cilët janë drejtorë e pronarë mediash rivale sot, derisa Koha mbetet me njerëz që nuk kanë aspirata më të mëdha se sa ‘një rrogë’ në fund të muajit.
Kreativiteti i Kohës ka vdekur qëmoti me një udhëheqje që nuk ka sjellë asnjë a freski që gati një dekadë. Ndonëse ka pasur disa tentime për to, gjithçka është shuar shumë shpejt nga mungesa e popullaritetit.
Kjo është një tjetër mangësi e Kohës – marketingu është i mbyllur. Ideja e Kohës gjithmonë ka qenë që KTV e Koha Ditore kanë mbuluar njëra tjetrën. Dhe kjo ka qenë në rregull kur kemi pasur 3 kanale televizive e 4-5 gazeta. Sot kemi një kallaballëk kanalesh televizive, së paku 10 me ‘zhanër kombëtar’ me një shtrirje kabllori e interneti në 90% të shtëpive, e edhe më shumë “gazeta” interneti.
Nostalgjia
Prandaj kam një ide që kemi mbetur vetëm ne ‘nostalgjikët’ e komedive të orës 11:30 të natës, e lexuesit e vjetër të Kohës Ditore që vazhdojmë të besojmë në Kohën.
Arsyeja pse unë jam parapagues i rregullt për më shumë se një vit (prej kur ka qenë 5 euro në muaj), qëndron te emrat e kolumnistëve që i kam për zemër – sidomos Robelli e Demi, dhe gazetaria hulumtuese – Ramaj e së fundmi Jusufi.
Dy programet e vetme që jam ndalur t’i shikoja, në prapavijë, kanë qenë të llojit podkast – para se të prishet këtë sezon, dhe radio, pasditeve. Si dhe kam parë nga një edicion të Deskut e programit të Gjinovcit, dhe atë për shkak të mysafirëve.
Kalendar
Vitin e kaluar ka qenë e pamundur të gjejmë Koha Ditore për vitin e ri. Sivjet, ndonëse me vonesë, së paku kemi pasur një adresë për ta blerë.
Dhe sigurisht që e kam blerë, për shkak të nostalgjisë.
Por, si erdhëm këtu, në një vend pa gazetë, nuk është faji vetëm i joni. Edhe ne do të blejmë gazetë të besueshme me rregull, edhe 50 cent sot, pasi një bukë kushton më shtrenjtë. Por, si gazetat tjera, edhe Koha Ditore u bë kurban i keqmenaxhimit.
Dhe me këtë menaxhim, jo që do të rikthehet gazeta së paku si javore, por edhe kjo vjetore do të zhduket mbase. Frekuenca kombëtare mban kanalin gjallë, dhe ata pak emra që ja vlen të lexohen, për mendimet e tyre.
Koha sot mbetet si alternativë sepse tjerët nuk kanë pavarësi nga politika. Koha mundohet të ketë politikë të veten.
Por, edhe sa?
Koha Nesër
Njerëzit do lexojnë gazetë derisa ka çka të lexohet në të. Hulumtime, analiza, e kolumne, janë ato që mbushin një gazetë sot, e të cilat lexohen më mirë se në portale.
Rrjeti i distribucionit është rrënuar, dhe e vetmja mënyrë mbetet kjo që është tash, me markete, ose me furra!.
Televizioni në primetime të dielën ka “op, op, Labin” i cili në një emision veror, pasi kryen intervistën kërcen në pishinë bashkë me mysafirin! Dhe tani pa pikë marre dalin e thonë “përkrahni gazetarinë e pavarur”, të paguajmë për emisione bizare si ky?!
RIP Koha
Koha është në udhëkryq, dëshiron të ushqehet edhe nga kjo audiencë e kotë, edhe nga ne që kërkojmë cilësi pak më serioze!
Derisa nuk zgjedhin këtë problem, atëherë do të shuhen dalëngadalë.
Ashtu si FB faqja e Botimeve Koha në Facebook që poston vetëm gjatë festave e panaireve!
Koha po vdes, fatkeqësisht, si shpresa e fundit për një gazetë e kthim në normalitet për neve “nostalgjikëve”.

