Kosova e Fodës

Kosova e Fodës

Nuk ka dyshim që Franco Foda është ndoshta përzgjedhësi më i njohur në futbollin modern që ka pasur Kosova. Suksesi i tij me Austrinë, dhe përvoja e fundit ekipore e bën atë një zgjedhje interesante, që nuk lejon paragjykim të menjëhershëm.

Krahas emrave tjerë të përmendur si Magath e Moreno, mendoj që është shumë më i mirë se të dy.

Me Franco Fodan, fajin nuk mundemi t’ia lëmë mungesës së një strategu të mirë, i cili mund të themi që ka qenë ndoshta përgjegjësi kryesor për ringjalljen e Austrisë.

Stili

Gjatë përvojës te Austria, Foda nuk ka hezituar të ndryshojë formacionet e as lojtarët, dhe kjo është ajo çfarë i nevojitet më së shumti Kosovës si një ekip në zhvillim.

Ndonëse, marrë parasysh ekipet në të cilat luajnë lojtarët kryesorë të Kosovës, është pak e besueshme që do të zhvendosemi për kohë të gjatë në 3421 a 352 siç bënte së fundmi Gliha, për t’i mbetur besnik 4231shit, apo 442shit klasik për neve.

Ato ndeshje i kemi pasur pa tri shtyllat kryesore – Amir Rrahmanin, Edon Zhegrovën, e Vedat Muriqin.

Jam i sigurt që Foda do të gjejë kombinimin që kryen punë më së shumti, sidomos varësisht prej kundërshtarëve që kemi.

Rivalët

Kualifikimi për në Kupën e Botës, a Euro2028 është diçka që kemi qejf, por varet nga kundërshtarët. Në Ligën e Kombeve kemi ekipe që mund t’u bëjmë ballë, bile edhe të fitojmë grupin. Kupa e Botës ka gati përgjysmë më pak vende se Euro2028, prandaj kjo e fundit duhet të shihet si synimi kryesor i Kosovës.

Një lehtësim i madh do të jetë suksesi në Ligën e Kombeve dhe kualifikime sa më të suksesshme për Kupën e Botës, edhe nëse nuk ia dalim të sigurojmë vizën për Amerikë.

Barazime me Andorrën e Ishujt Faro, humbje nga Bjellorusia, nuk guxojnë të përsëriten.

30tat

Aliti e Rashani janë të vetmit që kanë tridhjetë vjet. Amir Rrahmani e Vedat Muriqi sivjet shkelin këtë numër në moshën e tyre. Kryesisht lojtarët tanë janë të lindur gjatë viteve 1996-1998, që e bënë këtë ekip të jetë në pikun e karrierës. Prandaj, kualifikimi për Euro2028 duhet të jetë synimi kryesor.

Nuk besoj që Foda do t’ia dedikojë katër vite Kosovës, pasi për të është një mundësi e mirë rikthimi në role më të mëdha. Por, mendoj që nga të gjitha opsionet që kemi, ky është më i miri.

Talentin e kemi, veçse varet si i menaxhojmë. Përfshirja e Samir Ujkanit dhe emrave tjerë të ngjashëm në kombëtare do të jetë një shtytje shtesë për Kosovën.

2030

Shumëçka varet edhe nga qysh menaxhojmë grupmoshet e reja, e mbi të gjitha nga rrjeti i skautëve. Kemi një përparim te këto ekipe, ashtu si te zhvillimi dhe eksportimi i talenteve nga kampionatet vendore. Nëse arrijmë të avancojmë edhe në këto dy drejtime, sigurisht që suksesi i Kosovës do të jetë edhe më i garantuar.

Të shohim…