Pra, këto janë sendet që po i kqyrin rinia tash?!

Sikur Steve Buscemi në atë “memen” e njohur “How do you do fellow kids?” edhe unë po provoj të shoh shijen e tinejxherëve, të cilët moti kohë e kishin harruar Peppa Pigun, e cila tash e ka edhe një motër!

Nejse, te ky film, korean – po ma merr mendja për shkak të k-pop që supozoj se është muzikë koreane me fëmijë që zor është t’i dallosh çfarë janë në jetën reale, bëhet fjalë për tri vajza të një bendi muzikor.

Këto tria, pos këndimit, si betmeni natën, janë gjuetare demonësh!

Të rritura me këtë mision të fshehtë, ato në vete fshehin edhe sekrete nga njëra-tjetra, të cilat sekrete rrezikojnë unitetin e grupit.

Historia është interesante, këngëtare dhe gjuetare demonësh. Është mirë e shtjelluar, nuk ndërlikohet a thellohet shumë, bile shpesh duket edhe si film fëmijësh. Ndoshta edhe është.

Zërimi është në nivel, këngët për veshin e animacionet për syrin janë në nivel, goxha mbresëlënëse.

Tash, si filmi im i parë në këtë zhanër është pak e padrejtë të vlerësoj krejt zhanrin me këtë, mirëpo nuk janë keq nëse nuk zgjaten e komplikohen kot. Sigurisht, duhet me kqyr edhe tjerë, për me pas një kuptim më të gjerë. Nota personale: 4/5