Me t’u zgjuar të dy nga gjumi, për gjysmën e episodit të parë të serisë ‘Mad About You,’ kemi burrë e grua që duken karaktere të ndryshme – ajo është neurotike, njëjtë si ai, por ky i fundit harron veset e tija për t’i dëshmuar bashkëshortes prej pesë muajve se ajo bëhet merak për asgjë, ashtu siç bën edhe 27 vite më vonë, ngjashëm siç bën ajo për të.

Ajo që e bën ‘Mad About You’ komedi të veçantë është thjeshtësia në të cilën realizohet, zhveshja emocionale e karaktereve kryesore që kanë një jetë goxha të rëndomtë, derisa gjejnë lumturi në gjëra të vogla, ashtu si shqetësohen nga gjëra minimale që prekin jetën e të gjithëve.

Poll ka prindërit e tij, vjehrrën e Xhejmit e cila si çdo vjehërr nuk i pëlqen punët e nuses, e Xhejmi ka motrën që si gjithmonë gjykon dhëndrin, para se e njëjta të ndodhë me prindërit e saj. Si shoku i të dyve, Ajra është një karakter dytësor tipik i cili provon të arrijë gjithçka në jetën e tij në rrugën më të lehtë, derisa Mark e Fren janë çifti tjetër, me një jetë goxha ndryshe nga Poll dhe Xhejmi.

Ndonëse karaktere dytësore me bollëk, ajo që e bën ‘Mad About You’ speciale si seri është fakti që një episod i plotë mund të realizohet vetëm me dy karakteret kryesore dhe të jetë i përkryer.

Dhe një episod i tillë ekziston, në sezonet e fundit, e që është njëri ndër episodet më emocionale në televizion, por për shkak të spoilerave nuk mund ta përmend. Por, ka edhe shumë episode tjera, momente kur komedia lihet në plan të dytë gjersa Polli e Xhejmi përballen me probleme nga më të ndryshmet, të mbështetur për muri, derisa jeta provon t’i shtyjë matanë kufirit të fundit.

Derisa këto skena e momente shtyjnë peshën në anën e kundërt të komedisë, veç sa i japin një nuancë reale jetës së një çifti. Balanca krijohet me shumë më tepër çaste komike e të hareshme, të cilat gjenden edhe në momentet që nuk kanë ndonjë brumë për të qeshura.

Historia e Pollit dhe Xhejmit është ndër më të thjeshtat, më të këndshmet, me plot çaste komike, derisa prek realitetin e jetës si asnjë komedi më parë. Më shumë është për ata që tashmë janë në të tridhjetat, për dallim prej ‘Friends’ për shembull, që zhvillohet në të njëjtin univers me ‘Mad About You’ e që është më shumë për adoleshentët, e as për fansat e ‘Seinfeld’ që gjithashtu është pjesë e universit të njëjtë, pasi nuk përmbushë atë qasjen cinike ndaj botës që ka Larry David si kreator i serisë.

“Mad About You’ është komedi romantike, përtokë, që më shumë i ngjanë jetës se sa një bote imagjinare, duke përqafuar thjeshtësinë e jetës dhe të gjitha të mirat e të pakëndshmet që sjell ajo. Nota personale: 5/5