I përkryer!
Nuk do të kishte mënyrë më të mirë për të portretizuar ABBA-n në film se puna e Phyllida Lloyd, e cila në debutimin e saj si regjisore pas shfaqjes teatrale me po të njëjtën temë, sjell një shije parajse në ekran.
Fund e krye filmi është ABBA!
Nga lokacioni – një ishull grek në atmosferë vere, te historia – një nënë vetushqyese bija e së cilës bëhet gati për martesë.
Por, Sofi dëshiron të mësojë se kush është i ati i saj, dhe për këtë hallakatë ditarët dhe të kaluarën e nënës së saj, falë edhe ndihmës së dy shoqeve më të ngushta të së ëmës.
Christine Baranski si Tanja e Julie Walters si Rozi janë “ekstra” që zbukurojnë krejt filmin si karaktere të shfryra që nuk u intereson gjë për dallim prej Donës, e cila provon të jetë më e urtë, ndoshta për të kaluarën e saj që tash e lë Sofinë në dyshime.
Amanda Seyfried me butësinë e saj është përzgjedhja e përkryer, me një aktrim të papërsëritshëm në rolin e vajzës që kërkon babin, dhe për këtë ka hiq më pak se tre kandidatë.
Harmonia skenike që kanë Pierce Brosnan, Colin Firth, e Stellan Skarsgard në rolet e Semit, Herrit, dhe Billit, që të tre karaktere të ndryshme, dhe në rrugë për të takuar bijën e tyre potenciale e cila po martohet, është pjesa më e mirë e krejt filmit.
Në grup, që të gjithë, nëpër shumë skena që kanë skenografi fantastike, që të shtyjnë të vallëzosh e këndosh me ta, e bëjnë filmin “Mamma Mia” biografinë më të bukur filmike të ABBA-s.
Është film përrallor, shije parajse për fansat e ABBA-s. Nota personale: 5/5

