I pari i katundit, i fundit i qytetit.
Në atë që dëshmon këtë fjali të urtë, një djalë i ri nga Teksasi, Xho Bak, me një kapelë kaubojsh, vendos të lë vendlindjen për të pushtuar Nju Jorkun me idenë se gratë e qytetit mezi presin të shijojnë një kauboj në qytetin e tyre të mërzitshëm.
Por, me të ardhur në qytetin e madh, Xho e sheh se realiteti është ndryshe dhe askush nuk i jep pesë pare për një kauboj, sado i gjatë e i pashëm që është ai, pa harruar edhe naivitetin e tij.
I humbur dhe me ëndrrat e rrënuara, Xho fillon të kërkojë mënyra për të mbijetuara, dhe në këtë ide gjen ndihmën e Enriko Rixos, i njohur shkurtimisht edhe si “Ratso,” për karrierën e tij si mashtrues dhe zuzar që bën një jetë duke përfituar nga tjerët, por që duket se është përgjigjja e duhur ndaj realitetit injorant urban i cili i prishi ëndrrat e Xhoit.
Shehri të prishë!
Me Ratson, Xho provon të gjejë mënyra për t’u përshtatur, dhe asnjë nga ato nuk duket të jetë nga ëndrrat e tija, përkundrazi janë krejt ato që do të urrente, e shumica edhe të atij niveli të ultë sa që kanë shtyrë këtë film të ketë rejtingun X – i ndaluar rreptësishtë për këdo nën 17 vjet.
Përkundër këtij X, filmi nuk është i mbushur me skena të shthurura, dhe ndoshta më ekstremja në krejt këtë film është rrënimi i ëndrrës amerikane, diçka që ngjalli ndoshta një ide të një nënzhanri të ri filmash në Hollivud.
Por, filmi s’do të ishte ky pa aktrimin fenomenal, me një harmoni të mrekullueshme mes tyre, të Joe Voight si Xho Bak, dhe Dustin Hoffman në rolin e Enrikos.
Janë dy shokë të papërshtatshëm, si për nga karakteri edhe më shumë për nga pamja, por të bashkuar nga idealet dhe armiku i përbashkët, e që është padrejtësia që jeta u ka bërë atyre.
Një nga filmat më pak të njohur, ndoshta për shkak të brutalitetit të historisë dhe shtjellimit të saj, që ka fituar Oskar, me një aktrim të rrallë ku të dy aktorët thjesht e zotërojnë krejt filmin. Nota personale: 5/5
