(stër)Mbesa e aktores së njohur italiane, Gina Lollobrigida, Francesca, më në fund ia tejkalon asaj.

E arta, e papritur, i erdhi në 3000m patinazh të shpejtë mbi akull, në të cilin ajo triumfoi me një rekord olimpik duke lënë larg mbrapa favoritet e kësaj gare. Kjo bëri që qysh në ditën e parë, vendasit, të kenë një moment “mrekullish,” që janë shpërblimi më i madh që mund të marrin vendet organizatore.

Mrekullia ishte afër edhe në garën e lëshimit ku dy medalje u takuan italianëve.

Gjersa mund të pritej suksesi i Giovanni Franzonit, marrë parasysh vitet e fundit të karrierës së Dominik Paris, e bronzta për të ishte një befasi e këndshme. E arta, me një super-skijim i shkoi zviceranit Franjo von Allmen, derisa dominuesi i skijimit alpin viteve të fundit, Marco Odermatt, përsëri mbeti në qoshe të medaljeve, por e arta në Super G duhet të jetë e sigurt për të.

Edhe një tjetër favorite nuk arriti të përkthejë suksesin e Kupës së Botës në Olimpiadë.

Nika Prevc përfundoi vetëm e dyta, pas asaj që meriton së paku të artën olimpike për vazhdueshmërinë e formës që ka treguar viteve të fundit, Anna Odine Stroem. E bronzta shkon për Nozomi Maruyaman, e cila po kalon sezonin e karrierës.

E diel, 8 shkurt

11:30 Lëshimi i femrave

Lindsey Vonn kërkon të futet në historinë e sportit duke skijuar me ligamente të lënduara dhe në moshë të shtyrë. Sofia Goggia është favoritja tjetër, por në këtë garë nuk mund të “përfundojmë” medaljet së paku deri kur Ilka Stuhec të përfundojë garën

12:30 Skiathloni i meshkujve

Për dallim prej garës së femrave, të cilat si gjitha të tjerat duhet t’u takojnë suedezeve, te meshkujt do të kemi dominimin norvegjez, me Klaebon që lufton për të thyer rekordet e vetvetes.

13:45 Snoubord – Sllallom i madh paralel (14:26 finalja e femrave, 14:36 e meshkujve)

Ndoshta gara më interesante e snoubordit, sllallom i madh paralel, me Tsubaki Mikin si favorite, dhe italianët që presin medalje.

14:05 Biatlon – Stafeta e përzier

Stafeta e përzier do të jetë një luftë ndërmjet Francës dhe Italisë, ndonëse Suedia e Norvegjia mund të befasojnë ndonëse medalja e bronztë është më shumë për ta, e për të cilën mund edhe të kemi befasi.

16:00 5000m meshkujt patinazh i shpejtë

Italianët mund të shpresojnë në një mrekulli tjetër, por Metodej Jilek zor se do të lëshojë pe.

17:00&18:34 Luzh meshkujt – rundi 3&4

E çuditshme është që Felix Loch mbeti vetëm i teti pas dy rundeve të para, ndonëse Max Langenhan po mbron nderin e gjermanëve. Dominik Fischnaller ende shpreson për titull, ndonëse Jonas Muller është më afër.

20:45 Patinazh artistik – gara ekipore

Në garën finale, medaljet vetëm se do të jenë të përcaktuara me SHBA-në, Japoninë, e Italinë në podium. Japonezëve u duhet mrekulli për të kaluar amerikanët, e pak më lehtë e kanë kanadezët ndaj italianëve për të bronztën.