MilanoCortina (3) – Zuzana
Derisa të gjithë prisnin titullin e tretë të Ester Ledeckas në sllallom paralel në snoubord, një bashkëkombëse e saj, shumë më e re në moshë, pa asnjë fitore ende në garat zyrtare, bëhet kampione olimpike.
Kjo është minimumi që fati që i ktheu shpinën gjatë tërë sezonit – vazhdimisht humbiste ose në gjysmëfinale ose në finale, dhe atë duke mos arritur të përfundonte garën – t’i shpaguante Zuzana Maderovës.
Ajo fitoi duke qenë e dyta në kualifikime, duke zgjedhur shtegun që dukej se ishte më pak i volitshëm, dhe duke ruajtur kompozimin mendor deri në fund, derisa rivalet e saja eliminonin rivalet kryesore.
Për dallim prej Zuzanës, ajo që fitonte gara e tituj kur çekja 22 vjeçare ende nuk ishte në këtë botë, Lindsey Vonn, me ligamente të lënduara, në moshën 41 vjeçare, vendosi të provonte forcën në garën më të shpejtë në skijim alpin, atë të lëshimit.
Fati nuk ishte në anën e saj, dhe mosha e bëri të veten duke u rrëzuar në pjesën e sipërme të shtegut, për të përfunduar në sallën e operimit.
Titulli i shkoi bashkëkombëses së saj, Breezy Johnson, e cila përkundër një karriere nën-mesatare në garat e Kupës së Botës, tash është kampione botërore dhe olimpike në lëshim.
Befasi nuk pati në kros-kountri, ku Klaebo i mbajti me shpresë të gjithë deri në ngjitjen e fundit në skiathlon, për t’i lënë mbrapa si “road runner,” te filmat e vizatuar, derisa katër pas tij luftonin për medaljen e argjendtë.
E diel, 8 shkurt
10:30 Kombinimi alpin i meshkujve (në ora 14:00 sllallomi) (RTK)
Disiplinë e re, nëse nuk gaboj, ku në vend të kombinimit ku i njëjti skitar bënte edhe lëshimin edhe sllallomin, tash janë dy shokë skuadre, njëri në lëshim, tjetri në sllallom.
12:30 Skijim në park – femrat (RTK)
Është sikur skijimi halpipe që organizohet në një hapësirë të gjysmë-gypit, veçse kjo është në park, është më e gjatë, dhe ka më shumë hapësira për akrobacione, metale, shpate, gropa, e çmos.
Ndoshta është disiplina më interesante e këtij sporti kur jemi te akrobacionet.
17:30 Patinazh i shpejtë – Femrat
Femke Kok dhe holandezet janë favorite, ndonëse kanadezet mund të befasojnë. Disiplina është 1000m.
18:05 Kërling – gjysmëfinalet miks
Dyshet e përziera zhvillojnë gjysmëfinalet me Britaninë e Madhe, SHBA-në, Italinë, dhe Suedinë të kualifikuara.
19:00 Kërcime me ski – meshkujt (RTK)
Nuk duket të jetë Olimpiada e Prevcave. Para Domenit, Philipp Raymund dhe Kristoffer Sundal kanë pasur seanca të mira stërvitore, ndonëse si gjithmonë këtë sezon, japonezët e sllovenët mbeten favoritë.
19:30 Snoubord Big Air – femrat
Nëse ju ka pëlqyer gara e para dy ditëve, edhe kjo do t’ju pëlqejë.

