Për shumëkënd është dita e katërt e Olimpiadës dimërore në Milano dhe Cortina, por zyrtarisht sot është dita e parë zyrtare e garave, e para pas ceremonisë hapëse
Ceremonia
Nuk di pse organizohen ceremoni hapëse pas Pekinit në vitin 2008. Gjithçka ka qenë më dobët, përfshirë Londrën katër vite më vonë, e fundi ka qenë në Paris dy vite më parë, ku francezët si gjithmonë e bëjnë bërllok.
As italianët nuk janë larg, kështu që vendosa mos të përcjell ceremoninë, e edhe ashtu medaljet e kupat janë disi humbje kohe për mua, ndonëse gjithë lufta është për to.
Kosova
Kiana Kryeziu për herë të dytë në Olimpiadë, pas pozitës së 49të para katër viteve në garat e sllallomit të madh. Përvoja duhet ta shtyjë pak më para, por kjo varet edhe nga numri i atyre që përfundojnë garën.
Shpresoj që së paku të arrijnë në fund, edhe Kiana edhe Drin Kokaj, i cili debuton në Olimpiada.
Nuk besoj që arrijmë të thyejmë rekordin e Albin Tahirit i cili në Olimpiadën e kaluar ishte i 15ti në garën e kombinimit alpin (disiplinë e larguar tashmë), nga 17 garues që përfunduan garën dhe 10 që nuk mbërritën në fund.
Por, në sportet dimërore, derisa të ndjekim shembullin e Shqipërisë, për neve pjesëmarrja është maksimumi!
Shqipëria
Lara Couturi, italiania e natyralizuar, e bija e kampiones olimpike Daniela Ceccarrelli, mund të jetë medalistja e parë shqiptare në Olimpiadat dimërore. Ka pasur një fillim fenomenal të sezonit, por janari nuk ka qenë ndër më të mirët, ndonëse nuk ka pasur edhe aq gara në disiplinat e saj teknike – sllallom dhe sllallom i madh.
Shpresoj të ketë përqendrimin në nivel pasi ky ka qenë problemi kryesor së fundmi duke mos arritur të përfundojë as lëshimin e parë në disa raste.
Lisa Brunga, Denni Xhepa, e Semire Dauti shkruan se janë garuesit tjerë, që të gjithë në garat e skijimit alpin, dhe besoj në disiplinat teknike ku kualifikimi është më i lehtë.
Sot
Lëshimi i meshkujve, 11:30
Dita e parë sjell medaljet e para.
Në ora 11:30 është gara e lëshimit për meshkuj, ku pas tri lëshimeve në stërvitje gjithmonë kemi pasur lider të ndryshëm.
E si zakonisht, në Olimpiadë të duhen 2-3 minuta përqendrim dhe shkëlqim, dhe mbetesh në histori. Për këto tre minuta, sidomos në garën e lëshimit, mund të shkëlqejë gjithsecili, por favoriti kryesor mbetet Marco Odermatt nga Zvicra.
Nuk do të përjashtoja as Franjo Von Allmenin, dhe pastaj janë italianët – Paris, Franzoni, Schieder, e pse jo, edhe Casse.
Që të gjithë këta janë në mesin e 15 të parëve, prandaj medaljet, do të duhej të përcaktohen që atëherë.
Gara do të jetë e varfër pa Kilden që nuk arriti të rikuperohet, dhe sidomos Cyprien Sarrazin që nuk dihet se a do të rikuperohet ndonjëherë.
Megjithatë, këtu kemi edhe një garues me prejardhje shqiptare, Alban Elezi Cannaferina, me babanë shqiptarë nga trojet tona, dhe nënën italiane, por që garon për Francën.
Kërcimet me ski, femrat, 18:45
Ekziston një mundësi që një familje të fitojë të gjitha të artat në garat e kërcimeve me ski falë sezonit pothuajse të përkryer që po kalojnë Domen dhe Nika Prevc.
Sllovenët janë favoritë, por japonezët duhet t’i ndjekin nga afër, në çdo disiplinë.
Sonte është në program gara nga kërcimorja e vogël, K90, për femra, që zhvillohet natën, e që personalisht do të preferoja të gjitha garat të zhvillohen në dritë të ditës!
Nika Prevc duhet të jetë fituese e padyshimtë, por së fundmi ka pasur shumë “doping” me veshje, kështu që gjithçka mund të pritet nga tjerët.
Snoubord – Big Air, meshkujt,19:30
Një disiplinë relativisht e re në Olimpiada, Big Air është ndër sportet më ekstreme, ku garuesit duhet të bëjnë akrobacione pas kërcimit nga një shpat i madh ta quaj.
Nuk jam fans i vlerësimeve të këtilla, sepse nuk i kuptoj ndoshta aq mirë, por prapë, është interesante të shihet, ndonëse gjithmonë duket se e fitojnë ata që nuk e meritojnë më së shumti.
Skiathlon, femrat + 3000m patinazh, femrat
Dy finalet tjera, janë skiathloni i femrave në skijim nordik – 10km stil i lirë, dhe 10km stil klasik (duhet të lëvizin nëpër “brazdat” e përcaktuara drejt); dhe 3000m patinazh.
E para fillon në ora 13:00 (pas skijimit alpin) e dyta në ora 16:00. Te të dyja garat, garueset kanë kohën e tyre, dhe koha më e mirë fiton, pra nuk ka duele direkte, ndonëse në patinazh rrëshqasin në çifte – në këtë rast 10 – dhe më të mirat janë nga fundi.
Në garat tjera preliminare ka luzh, hokej mbi akull për femrat, dhe kërling në çifte të përziera.

