Sot është radha e Drin Kokajt, i cili starton në garën e fundit të skijimit alpin për meshkuj, sllallomit.

Me përvojën që na ka dhënë Kiana deri tash, përfundimi i garës do të ishte sukses, ndonëse sllallomi është gara më teknike dhe me më së shumti skitarë jashtë shtegut para fundit.

Drini starton i 83ti, e në garë është edhe Denni Xhepa i cili starton i 50ti për Shqipërinë.

Gara fillon në ora 10:00, me tanët që nuk besoj se janë në shteg para orës 11:00, e lëshimi i dytë është në ora 13:30, të dyja transmetohen në RTK.

Në program sot është edhe gara e sajave bob për femra, kërcimet ekipore me ski (20:20 RTK1) për meshkuj, dhe gara e çifteve në patinazh artistik.

Ndërkohë dje ishte njëra ndër ditët më të ngarkuara dhe më interesante në Olimpiadë.

Gara e sllallomit të madh ishte e çmendur me Thea Louise Stjernesund e Sara Hector që nuk arritën të ndahen as pas dy lëshimeve në sllallom të madh duke përfunduar në të argjendtën derisa Federica Brignone mori të artën.

Bashkë me Thean e Sarën të njëjtën kohë pas rundit të parë pati edhe Lara Colturi, por në rundin e dytë mbeti më mbrapa, dhe shpresat për medalje kalojnë te gara e saj e preferuar, sllallomi, që është në program të mërkurën.

Interesante ishin edhe garat në biatlon, sidomos femrat, me Lisa Vittozzin që kënaqi vendasit, ndërsa në kërcime me ski për femrat Anna-Odine Stroem përsëriti suksesin e disa ditëve më parë duke marr të dytën të artë.