Biatloni apo biathloni është njëri ndër sportet dimërore më atraktive.
Bën ski për 2-3km pastaj duhet të qëllosh pesë shenja, dhe t’i kthehesh përsëri skijimit. Pra, pos angazhimit fizik kërkon edhe disiplinë psikike dhe precizitet.
Është shumë më i mirë se kros-kountri dhe së fundmi ka evoluar në një mënyrë goxha impresive për sportin – disiplina të reja interesante janë shtuar si stafetat dytësore t’i quaj, si dhe renditja në nisje sipas suksesit aktual ka bërë garën më interesante.
Ndër shtimet e fundit në programin olimpik është disiplina e startit masiv ku 30 më të mirët startojnë njëkohësisht dhe për 15km duhet të qëllojnë 20 shenja.
Pas skijimit, disave u nevojitet goxha shumë kohë për t’u përqendruar, e disa shkojnë “me ka krejt” qysh nga pozicionimi.
I tillë është edhe Emilien Jacquelin i cili në këtë olimpiadë mori medaljen e tij të parë. Kjo veti e tij në qitje e bën interesant për t’u parë, por larg suksesit të Martin Fourcade me katër të arta dhe Quentin Fillon Maillet që ndjek të artën e katërt.
Gara e startit masiv në biatlon për meshkuj është sot në ora 14:15, kur edhe mbyllet programi olimpik për ta, me femrat në program nesër.
Nga finalet sot janë disa finale në skijim akrobatik, me ski-kros në ora 13:10.
Në program janë gjysmëfinalet në hokej mbi akull: Kanadaja – Finlanda (16:40) dhe SHBA-ja – Sllovakia (21:10).
Gjithashtu janë finalet në patinazh të shkurtër dhe të gjatë, si dhe gjysmëfinalet në kërling për femra nga ora 14:05.

